Lajme
7 muaj burgim ndaj të akuzuarit për pengim të procedurës penale, në rastin e 400 kg kokainë të ardhur nga Brazili
Demokracia
12:30 | 22 Dhjetor 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me 7 muaj burgim efektiv të akuzuarin Hyzri Sheqiri, për veprën penale “Pengim i të provuarit apo i procedurës penale”, në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sheqiri u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimi, pas shqyrtimit të marrëveshjes së arritur mes Prokurorisë dhe avokati të të akuzuarit, Artan Çerkini për veprën penale “Pengim i të provuarit apo i procedurës penale”, gjykata aprovoi marrëveshjen dhe shpalli dënim me 7 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese vetëm lidhur me lartësinë e dënimit, ndërsa dënimi do të ekzekutohet pasi të bëhet i plotfuqishëm.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Masa e paraburgimit, të njëjtit do t’i ndërpritet deri në ekzekutim të dënimit.

Kurse, pesë të akuzuarit tjerë në këtë rast, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi, u deklaruan të pafajshëm, në atë seancë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të ngjashme