Lajme
Limaj i bindur: Ka filluar zbatimi i Asociacionit, zgjedhjet në veri do të mbahen në janar
Demokracia
10:06 | 11 Nëntor 2023

Share:

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se ka filluar zbatimi i Asociacionit dhe se zgjedhjet për komunat në veri do të mbahen diku në janar të vitit 2024.

“Ka filluar zbatimi i Asociacionit, me regjistrimin e targave dhe mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve që do të fillojë shumë shpejt. Kjo ka ndodhë në momentin që Kurti i ka thënë po marrëveshjes, në janar diku do të jenë zgjedhjet për kryetarët e komunave në veri”, ka thënë Limaj.

Limaj ka thënë se Asociacioni është një kompromis i dhimbshëm politik.

“Këtu jemi duke fol për një kompromis të dhimbshëm politik, për krijimin e një autonomie e që normalisht që do të akomodohet sepse pa ligj nuk funksionon, por kush do ta marrë përgjegjësin politike për këtë?”, tha ai në një intervistë për Gazeta Blic.

Sipas Limajt Asociacioni është punë e kryer dhe se nuk është i rëndësishëm nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

“Çfarë nënshkrimi kërkohet këtu, kur unë dhe ju pajtohemi në një marrëveshje dhe themi jemi pajtuar jemi dakorduar e kemi ndërmjetësuesin këtu që e fut në dokumentin dhe kornizën evropiane dhe del me komunikatë dhe ndërmjet neve të dyve e prezanton rezultatin ajo është ligjërisht juridikisht super e obligueshme për të dyja palët, kjo punë është kryer”, tha Limaj.

Limaj ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet ta pranojnë assesi dhe se nëse kjo ndodhë është shqetësuese për vendin.

“Vetëm me kaq çfarë është duke ndodhë tash, nëse qytetarët Kosovës e pranojnë këtë poshtërim dhe ofendim siç është duke ndodhur sot, po vendoset për fatin e vendit të tyre dhe nuk dinë asgjë se çfarë po bëhet dhe nëse e lejojnë qytetarët e Kosovës këtë ofendim, heshtin, gjejnë arsyetime dhe heshtin para kësaj. Ky vend ka me pas rreziqe edhe më të mëdha, kjo për mua është shqetësimi, ne dalëngadalë jemi duke heq dorë nga shteti jonë”, deklaroi Fatmir Limaj.

Të ngjashme