Komuna e Prishtinës raporton realizim prej 63% të investimeve kapitale ne 2024, por realiteti tregon tjetër gjë. Miliona euro figurojnë si të shpenzuara, ndërsa projektet nuk kanë nisur fare. A po fryhen artificialisht shifrat për të krijuar një sukses fiktiv? Demokracia.com, sjell detaje…
Komuna ka publikuar shifrat zyrtare për shpenzimet kapitale në 2024, duke pretenduar realizim prej 63%. Por hulumtimi tregon se projektet për të cilat janë paguar miliona euro janë ende në letër. Demokracia.com ka vërejtur se në disa raste, Komuna ka marrë fonde nga projektet kapitale dhe i ka përdorur për nevoja të tjera,
Siç shihet në raport, buxheti për të gjitha kategoritë ekonomike për vitin 2024, së bashku me bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake nga vitet e mëparshme në vitin 2024, është planifikuar në vlerë prej 171,702,510.52 euro. Nga këto mjete, për vitin 2024 janë shpenzuar 138,201,390.15 euro, prej të cilave:
- Për paga janë shpenzuar 43,881,616.40 € ose 100.00 %
- Për mallra dhe shërbime janë shpenzuar 29,835,984.69 € ose 99.87 %
- Për shpenzime komunale janë shpenzuar 2,892,755.31€ ose 96.38%
- Për subvencione janë shpenzuar 5,232,456.50€ ose 91.59 %
- Për shpenzime kapitale janë shpenzuar 56,358,577.25 € ose 63.16 %.
Në raport thuhet se “Shpenzimet kapitale janë ekzekutuar me një normë shumë të kënaqshme dhe kanë arritur vlerën prej 56,358,577.25 €, që sipas Komunës është 63.16% e planit gjatë kësaj periudhe të vrojtuar, duke shënuar një rritje prej 18,834,101.30 € krahasuar me shpenzimet në këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2023, pra një rritje prej 50.19 %”.
Tutje, Komuna ka publikuar të gjitha projektet kapitale, duke treguar buxhetin e planifikuar për to dhe shumën e paguar. Demokracia.com ka gjetur se dhjetëra projekte kapitale infrastrukturore as që janë tenderuar, e lëre më të kenë filluar, por për to Komuna ka shënuar se janë bërë pagesa në emër të atyre projekteve. Më pas, pagesat e paraqitura për këto projekte kanë rritur shifrën e realizimit të tyre në 63 për qind të shpenzimeve kapitale për vitin 2024, përfshirë edhe mjetet e bartura nga vitet e mëparshme.
Më poshtë, po paraqesim vetëm një pjesë të projekteve që as nuk kanë filluar në terren, por figurojnë që për to janë kryer pagesa, duke rritur kështu shumën e realizuar për projektet kapitale:
- Ndërtimi i tri mbikalimeve në lagjet Aktash, Lakrishte dhe Arbër: Buxheti 373,009.94 euro, shpenzimet 153,904.56 euro, kanë mbetur pa shpenzuar 219,105.38 euro.
- Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani: Buxheti 4,100,000.00 €, shpenzimi i paraqitur në emër të këtij projekti 1,737,339.90 €.
- Rregullimi i sheshit “George Bush”: Buxheti i planifikuar për vitin 2024 ishte 2,396,875.44 €, ndërsa në emër të këtij projekti figuron shuma e shpenzuar 1,722,337.72 €.
- Ndërtimi i nënkalimit Kalabri-Dardani: Buxheti i miratuar 300,000.00 €, shuma e paraqitur si e paguar 110,738.67 €.
- Ndërtimi i ishullit urban Arbëri – Pallati i Rinisë: Buxheti i miratuar 3,500,000.00 €, shpenzimi i raportuar 1,156,399.19 €.
- Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike: Buxheti 1,000,000.00 €, shpenzimi i paraqitur 969,980.00 €.
- Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës: Buxheti i miratuar 2,800,000.00 €, shpenzimi i paraqitur 1,557,294.02 €.
- Salla Koncertale – Qendra Multikulturore “Evropa”: Shuma e planifikuar 2,000,000.00 €, po kaq figuron si shpenzuar.
- Ndërtimi i parkut në Lagjen “Kalabria” – faza III: Buxheti 300,000.00 €, shpenzimi 150,290.10 €.
- Ndërtimi i tualeteve publike në qytet (“Qendra”, “Tophane”, “Dodona”, “Bregu i Diellit”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Lakrishte”, “Aktash”): Buxheti 150,000.00 €, shpenzimi 150,000.00 €.
- Ndërtimi i Sallës Multifunksionale të Koncerteve tek Tjegulltorja: Buxheti i planifikuar 3,300,000.00 €, i shpenzuar 2,800,000.00 €.
- Ndërtimi i Sallës Multifunksionale në Komunën e Prishtinës: Planifikimi 3,585,000.00 €, shpenzimi 1,450,287.47 €.
- Qendra Olimpike e Prishtinës – në Bernicë: Figuron një shumë e planifikuar prej 400,000.00 €.
- Ndërtimi i thertores publike dhe tregu i kafshëve në Prishtinë: Buxheti i planifikuar 2,100,000.00 €, shpenzimi i raportuar 771,141.37 €.
- Liceu Artistik, afër ndërtesës së Rilindjes: Buxheti i planifikuar 1,100,000.00 €, shpenzimi 667,776.64 €, etj.
Më lart është vetëm një pjesë e projekteve.
Më 9 shtator 2024, Demokracia.com i është drejtuar Komunës së Prishtinës me këtë pyetje:
Komuna nuk kishte kthyer përgjigje.
Por, ku po shkojnë këto para që figurojnë si pagesa për projekte të caktuara?
Demokracia.com ka vërejtur se në disa raste, Komuna ka marrë fonde nga projektet kapitale dhe i ka përdorur për nevoja të tjera, si për mallra dhe shërbime apo për shpenzime kapitale të paplanifikuara në buxhet, si ndonjë rrugë apo kanalizim në fshatra. Një pjesë e parave janë paguar për kontratën e Arkitektit të Qytetit, digjitalizim të shkollave, menaxhimit tw mbeturirinave, etj.
Demokracia.com ka mësuar se nga investimet kapitale vecmas për përmbarime nëpërmes te thesarit janë marrur 6,090,073.16 euro.
Sipas nenit 18, pika 3 e Rregullores Financiare nr. 01/2013, shpenzimet publike duhet të kodifikohen në mënyrë adekuate, sipas planit kontabël. Gjithashtu, Plani Kontabël i Thesarit përcakton kodet dhe kategoritë përkatëse që Organizatat Buxhetore duhet të aplikojnë.
Nga ana tjetër, sipas nenit 16 të Ligjit për Buxhetin, paragrafi 11, ndryshimet në shumat e ndara buxhetore për projekte ekzistuese si rezultat i transferimeve dhe/ose rialokimeve, të prezantuara në tabelën 4.2, duke përfshirë edhe të hyrat vetanake të bartura, duhet të aprovohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal. /Demokracia.com/