Lajme
6 muaj pas aktakuzës, ende s’është caktuar seanca për deputetin e LVV-së
Demokracia
11:24 | 04 Maj 2022

Share:

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj që kur Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Valon Ramadani, seanca për këtë rast ende nuk është caktuar.

Deputeti Ramadani akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Për këtë rast, më 13 korrik 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare në të cilën deputeti Ramadani ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e datës 8 shtator 2021 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 8 tetor 2021 kishte nxjerr aktvendim me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Sopjani me ç’rast kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Ramadanit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme