Lajme
6 mijë euro gjobë ndaj dy të akuzuarve| Goditën në kokë me shufër të hekurit dhe me shkopinj bejsbolli të dëmtuarin
Demokracia
19:35 | 10 Maj 2022

Share:

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve V.S. dhe A.G. duke i dënuar me 6 mijë euro gjobë. Të njëjtit akuzoheshin se i shkaktuan lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Ç.S. për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtëve është bërë të martën nga gjyqtari Islam Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, të pandehurve V.S. dhe A.G. secilit veç e veç i është shqiptuar dënim me gjobë me nga 3000 euro në të cilin do të i llogaritet edhe koha e kalimit në arrestin shtëpiak.

Në aktgjykim thuhet se nëse të akuzuarit nuk dëshirojnë apo nuk mund ta paguaj gjobën  në shumën si më lartë, atëherë gjykata dënimin me gjobë do ta zëvendësoj në dënim me burg ashtu që për 20 euro gjobë do të llogaritet një ditë burgim.

Të akuzuarit detyrohen që secili prej tyre veç e veç të dëmtuarit t’ia kryejnë kompensimin e dëmit prej 1 mijë e 700 euro në afat prej 15 ditësh nga dita e plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.

Palët kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankesa në Gjykatë të Apelit në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, në këtë rast po akuzohet edhe M.V., ndaj të cilit lënda është veçuar për shkak se i njëjti gjendet jashtë shtetit.

Sipas aktakuzës, më datë 08.10.2016, në rrugën “Skender Arifi”, në Gjilan, përballë shkollës fillore “Abaz Ajeti”, në bashkëkryerje edhe me të miturit E.K dhe R.Z, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Ç.S, ku për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme, të njëjtit ditën kritike fillimisht pajisen me mjete të përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore.

Në aktakuzës thuhet se  me të takuar të dëmtuarin, menjëherë fillojnë ta godasin, edhe atë i pandehuri V. e godet në kokë me shufër të hekurit ndërsa të pandehurit A. dhe M. e godasin me shkopinj bejzbolli në koke dhe pjesë të tjera të trupit, ku nga goditjet i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë dhe pa ndjenja.

Aktakuza vazhdon duke shtuar se bazuar në ekspertizën mjeko ligjore, lëndimet e përshkruara në dokumentacionin mjekësor, paraqesin ndrydhje të indeve të buta dhe e enjëtur me mavijosje në regjionin ballor dhe regjionin parietal të kokës ana e majtë dhe plagë ndrydhëse dhe qarëse në regjionin parietal të kokës ana e majtë, ku nga anamneza thuhet se është konfuz dhe me glasqov (GCS) skala 14 dhe skuaje e indit lëkuror të kërcirit (nëngjurit) të djathtë, lëndime të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit te fortë mprehtës (i mprehtë), që si të tilla bëjnë pjesë në dëmtime te renda trupore.

Me çka në bashkëkryerje kanë kryer vepër penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.3 dhe nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

 

Të ngjashme