Një e treta e fëmijëve nga mosha tetë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç në internet pretendojnë se janë më të rritur nga mosha reale për të përdorur mediat sociale, aplikacionet e lojërave dhe faqet e me përmbajtje të caktuar, duke përfshirë pornografinë. Dy të tretat e tyre ndihmohen për të gënjyer, nga prindërit e tyre.
Konfirmimi i një situate sa evidente dhe dramatike, aq edhe të nënvlerësuar, vjen nga një hulumtim i porositur nga Ofcom, autoriteti britanik i komunikimit, i cili sapo është publikuar.
Nëse marrim parasysh se në vitin 2022 kishte mbi pesë miliardë përdorues online në mbarë botën dhe se një e treta e tyre janë fëmijë, është e lehtë të gjurmojmë përmasat e fenomenit. Në mbarë botën ka mbi 500 milionë fëmijë që shtiren se janë të rritur për të hyrë në platformat e mediave sociale, lojërave etj.
Është padyshim një situatë e paqëndrueshme. Dhe përgjegjësia është e përbashkët.
Sigurisht që një pjesë e përgjegjësisë është tek menaxherët e platformave dhe shërbimeve dixhitale, të cilët, për të mos hequr dorë nga një pjesë e rëndësishme e fitimeve të biznesit të tyre, bëjnë sa më pak të munden për t`i ndaluar vërtet për të përdorur aplikacionet.
Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre pasi nuk kanë pasur as vendosmëri dhe as energji sa ç’duhet. Ashtu siç ka ligj për të mos i shitur alkool fëmijëve apo cigare, duhet të jetë rregulla edhe në aksesin në internet.
Përgjegjësia më e madhe në fund bie mbi prindërit dhe të rriturit, të cilët, ndërkohë që shqetësohen për t’i mësuar fëmijët e tyre të vendosin kaskën përpara se të hipin në skuter, biçikletë ose motoçikletë, sepse e kuptojnë rrezikun, nuk e bëjnë këtë për rrjetet sociale. Madje sipas hulumtimit të Ofcom, prindërit as nuk janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që fëmijëve u kanoset online.
Mbi pesëqind milionë fëmijë të ekspozuar çdo ditë në internet ndaj rreziqeve të të gjitha llojeve – nga ato të natyrës seksuale tek ato të lidhura me një seri të pafund fenomenesh të varësisë dhe abuzimit të të gjitha llojeve – është një situatë që është thjesht e patolerueshme dhe e papranueshme në një shoqëri të civilizuar.