50 mijë euro dhe një sasi e madhe e arit u vodhën ditë më parë në banesën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta. Kjo shumë e lartë e parave nuk ishte raportuar nga ai gjatë këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsion, ndërsa nuk dihet as prejardhja e tyre.
Jo më shumë se një javë para se të ndodhte ky rast, Shkreta përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte bërë thirrje për luftën kundër fitimit të pasurisë në mënyrë të pajustifikueshme, raporton Demokracia.com.
“VETINGU – Kontrolli i vazhdueshëm i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që të vlerësohet dhe garantohet përshtatshmëria e tyre për të qenë pjesë sistemit të drejtësisë”, kishte thënë Shkreta.
Por, as 50 mijë eurot që iu vodhën, ai nuk i ka raportuar në AKK. Madje, as nuk dihet si i ka fituar ato.
Në media u raportua se një pjesë e tyre ka qenë e baxhanakut të Shkretës, megjithatë në reagimin e tij ai nuk ka përmendur një gjë të tillë, raporton Demokracia.com.
Lidhur me këtë kanë nisur edhe reagimet në rrjetet sociale, ku për Shkretën me ironi thuhet se ka mbajtur 50 mijë euro “nën jastëk”.
Posedimi i shumave kaq të larta të parave, në Kosovë është i rregulluar me ligj dhe çdo transaksion mbi 500 euro në mes të personave të përfshirë në aktivitet ekonomik duhet të bëhet përmes llogarisë bankare.
Kjo rregullohet edhe sipas Ligjit 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftën e Financimit të Terrorizmit, raporton Demokracia.com.
Sipas Nenit 16, subjekte raportuese për qëllim të këtij ligji janë: 1.1. bankat; 1.2. institucionet financiare; 1.3. kazinotë, përfshirë ato në internet dhe objektet e licencuara të lojërave të fatit; 1.4. agjentët e pasurive të patundshme dhe ndërmjetësit e pasurive të patundshme; 1.5. personat fizikë dhe juridikë që tregtojnë mallra kur pranojnë pagesa në para të gatshme në vlerë prej dhjetëmijë (10.000) euro ose më shumë.
Nuk dihet arsyeja pse Shkreta ka poseduar një shumë aq të lartë të parave “cash”, siç nuk është e njohur për publikun as prejardhja e tyre, por sipas nenit 32 të ligjit në fjalë edhe për transaksionet për pasuri të paluajtshme ka detyrime shtesë.
“Kur bartja e të drejtave mbi pronën e paluajtshme përfshin një transaksion ose transaksione në një vlere monetare dhjetëmijë (10.000) euro ose më shumë apo vlerës ekuivalente në valutë të huaj, nëse nuk është e rregulluar ndryshe me ligj, secili transaksion duhet të bëhet me anë të urdhërpagesës bankare ose transferit bankar”, thuhet në pikën e parë të këtij neni, raporton Demokracia.com.
Në kushte anonimiteti, mediumit Demokracia.com i kanë thënë së i shumëpërfoluri baxhanak i deputetit Shkreta është nga Shqipëria.
Por, po ashtu, sipas nenit 33 të këtij ligji, është i detyruar deklarimi i qarkullimit të instrumenteve monetare brenda dhe jashtë Kosovës.
“1. Secili person i cili hyn ose del nga Kosova dhe i cili bart instrumente monetare në vlerën prej dhjetëmijë (10.000) euro apo më shumë, apo vlerën ekuivalente në valutë të huaj, paraqet me shkrim shumën e instrumenteve monetare dhe burimin e tyre të verifikueshëm në një formë e cila duhet të përcaktohet nga Dogana e Kosovës, para zyrtarit doganor. Nëse kërkohet nga zyrtari doganor, ai i paraqet këto instrumente monetare. Sipas këtij neni, konsiderohet se personi bart instrumente monetare nëse, midis të tjerash, ato janë në posedim fizik të këtij personi apo në automjetin privat, ose në ndonjë mjet transporti tjetër që shfrytëzohet nga ky person. Detyrimi për të deklaruar nuk konsiderohet i përmbushur nëse informatat e ofruara janë të pasakta apo jo të plota.
2. Secili person i cili nga Kosova dërgon në një vend jashtë Kosovës ose i cili i pranon në Kosovë nga një vend tjetër jashtë Kosovës, përmes postës, ngarkesave kargo apo kuririt komercial, instrumente monetare në vlerë dhjetëmijë (10.000) euro apo më shumë apo vlerën ekuivalente në valutë të huaj, deklaron me shkrim shumën e instrumenteve monetare dhe burimin e tyre të verifikueshëm në një formë e cila përcaktohet nga Dogana e Kosovës, para zyrtarit doganor dhe i paraqet instrumentet monetare nëse këtë e kërkon zyrtari doganor. Personi mund të plotësojë obligimin e tij lidhur me raportimin sipas këtij paragrafi me anë të njoftimit të përmbajtjes së pakos në deklaratën doganore ose në dokumentacionin ndërkombëtar të bagazhit. Detyrimi për të deklaruar nuk konsiderohet i përmbushur nëse informatat e ofruara janë të pasakta apo jo të plota”, thuhet në dy pikat e para të nenit 33.
Lidhur me burimin e pasurisë për personat e ekspozuar politikisht, flet neni 15 i Rregullores për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit të Bankës Qendrore të Kosovës.
“1. Neni 22 i Ligjit për PPP/LFT dhe udhëzimet e lëshuara nga NjIF-K kërkojnë zbatimin e masave të arsyeshme nga institucionet financiare, për të përcaktuar nëse klientët e tyre janë persona të ekspozuar politikisht vendas apo të huaj. Institucionet financiare duhet të sigurojnë që të zbatojnë masa të duhura në situata të tilla, duke përfshirë kur një pronar përfitues është identifikuar si person, që ka statusin e personit të ekspozuar politikisht.
2. Kur një person identifikohet si person i ekspozuar politikisht vendas ose i huaj me rastin e krijimit të marrëdhënieve afariste, bankat dhe institucionet të tjera financiare do të ndërmarrin masat e përcaktuara në paragrafin 5.1 të nenit 22 të Ligjit për PPP/LFT.
3. Institucionet financiare do të zbatojnë masat e kujdesit të duhur të shtuar për marrëdhëniet e vazhdueshme me një klient ekzistues apo pronarin përfitues i cili është identifikuar të jetë një person i ekspozuar politikisht.
4. Në ndërmarrjen e masave të arsyeshme për të njohur origjinën e aseteve të përdorura në marrëdhënien ose transaksionin në përputhje me paragrafin 5 të nenit 22 të Ligjit për PPP/LFT, institucionet financiare duhet të sigurojnë, që masa të tilla do të përfshijnë shqyrtimin e burimit të pasurisë dhe burimin e fondeve të klientit.
5. Për qëllim të paragrafit 4 këtij neni, “burim i pasurisë” i referohet aseteve që klienti posedon dhe mund të jenë akumuluar gjatë viteve, ndërsa ” burimi i fondeve ” i referohet fondeve, që do të aplikohen për transaksionet e para dhe në vijim, të ndërmarra nga ana e klientit në statusin e tij si një person i ekspozuar politikisht.
6. Institucionet financiare duhet të sigurojnë se “anëtarët e familjes së ngushtë” dhe “personat të njohur si bashkëpunëtorë të ngushtë” të personit të ekspozuar politikisht vendas dhe të huaj do të jenë subjekt i masave të njëjta të kujdesit të duhur të shtuar.
7. Procedurat dhe masat për përcaktimin se kush është person i ekspozuar politikisht mund të përfshijnë, duke mos u kufizuar në:
a) kërkimin e informatave përkatëse nga klienti potencial duke iu referuar paragrafit 4 të këtij neni;
b) Kërkimin në listat zyrtare vendore dhe ndërkombëtare;
c) Referimin në informacionin publik në dispozicion; dhe
d) qasje në bazat e të dhënave komerciale elektronike potenciale për persona të ekspozuar politikisht”, thuhet në pikat e këtij neni.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet rreth vjedhjes së 50 mijë eurove në banesën e deputetit Shkreta.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, për Demokracia.com ka thënë se rasti po cilësohet si “vjedhje e rëndë”.
Ndërkaq, nga Agjencia Kundër Korrupsion kanë deklaruar se nëse vërtetohet që të hollat janë mbajtur “cash” që nga viti i kaluar, të cilat nuk janë të raportuara, atëherë veprimi i Shkretës mund të konsiderohet shkelje./Demokracia.com/