Lajme
5 top organizata ndërkombëtare i shkruajnë Kurtit pas zgjedhjes së aktivistit të VV-së drejtor në RTK
Demokracia
15:02 | 03 Shkurt 2023

Share:

Pesë organizata ndërkombëtare për lirinë  e medias i kanë shkruar një letër të përbashkët Kryeministrit Albin Kurti, pas zgjedhjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rilind Gërvallës, drejtor në kanalin televiziv të RTK-së.

Qendra Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF), Article 19 Europe, i janë drejtuar Kryeministrit Kurti me një letër, pas reagimeve ndaras që kanë bërë rreth emërimit të Gërvallës drejtori i kanaleve të RTK-së në shqip.

Sipas këtyre organizatave, zgjedhja e drejtorit të ri që ka lidhje me partinë në pushtet, i minon reformat që kishin nisur në televizionin publik.

Këto organizata i kanë kujtuar Kurtit reagimet që disa prej tyre i kanë bërë, para se Bordi i RTK-së ta zgjedhë Gërvallën në krye të RTK-së.

“Standardet e Këshillit të Evropës  në këtë proces janë të qarta: emërimet nuk mund të bëhen për të ushtruar ndikim politik apo ndonjë ndikim tjetër mbi funksionimin e medias publike. Individët e emëruar në pozita drejtuese në transmetuesin publik duhen po ashtu të jenë plotësisht të pavarur nga të gjitha partitë politike dhe interesat e caktuara”, thuhet në letrën dërguar Kryeministrit.

Organizatat i kanë thënë Kurtit se raportimet e mediave në Kosovë e kanë treguar lidhjen e qartë që Gërvalla e ka me Vetëvendosjen.

“Organizatat tona besojnë që këto lidhje e vëjnë në dyshim integritetin e procesin dhe rrezikojnë të dëmtojnë më tej besimin publik në autonominë politike të transmetuesit”.

Organizatat ndërkombëtarë kanë sugjeruar që të organizohet një proces i ri rekrutimi nga ku duhet të zgjidhet një kandidat profesional, që s’ka lidhje me Qeverinë apo ndonjë parti politike.

Të ngjashme