Lajme
5.4 miliardë euro deficit në 2024: Bilanci tregtar i Kosovës thellohet për 7.4% krahasuar me 2023-n, duke rrëzuar mitin e zhvillimit
Demokracia
16:39 | 29 Maj 2025

Share:

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për vitin 2024, duke zbuluar një rritje dramatike të deficitit tregtar, shkruan Demokracia.com.

Në një kohë kur retorika qeveritare mundohet të paraqesë sukses ekonomik dhe “zhvillim të qëndrueshëm”, realiteti statistikor i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2024 tregon një tjetër pamje, Kosovën po e përpin gjithnjë e më shumë një spirale deficiti tregtar, me shifra që sfidojnë çdo tentativë për arsyetim teknik apo propagandë politike.

Sipas ASK-së, gjatë vitit 2024, Kosova ka regjistruar një deficit tregtar prej 5,4 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 7,4% në krahasim me vitin paraprak 2023. Në vend se ky deficit të zvogëlohej si pasojë e politikave ekonomike të premtuara, ai është zgjeruar dukshëm, duke e shtuar më tej varësinë e vendit nga importi dhe duke dëshmuar mungesën e një vizioni të qëndrueshëm për zhvillim industrial dhe eksportues.

Eksporti që mezi mbulon 14.8% të importit

Në vitin 2024, eksportet e Kosovës kanë arritur vlerën 941.5 milionë euro, ndërsa importet kanë prekur shifrën 6,4 miliardë euro, duke bërë që mbulueshmëria e importeve nga eksportet të jetë vetëm 14.8%,  një tregues alarmant për një ekonomi që pretendon të jetë në rrugë zhvillimi.

Edhe pse eksportet kanë shënuar një rritje vjetore prej 9,1%, kjo mbetet simbolike përballë rritjes së importeve prej 7,7%, që vetëm thellon më tej hendekun strukturor tregtar dhe pasqyron një ekonomi e cila prodhon pak dhe konsumon shumë nga jashtë.

Çfarë eksporton Kosova? Pak dhe kryesisht lëndë të para

Struktura e eksporteve tregon qartë se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e mbështetur në mallra me vlerë të ulët të shtuar. Sipas ASK-së, në vitin 2024:

23,7% e eksporteve përbëhen nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre – kryesisht lëndë të para ose përpunime fillestare.

12,8% janë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, një tjetër grup mallrash me vlerë të kufizuar për zinxhirin e ekonomisë.

11,3% janë ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, sektor i cili tradicionalisht nuk përfaqëson ndonjë kapacitet industrial të rëndësishëm.

11,0% janë artikuj të ndryshëm të prodhuar, ndërsa 8,8% janë produkte minerale dhe 6,0% janë tekstile dhe artikuj tekstili.

Ky profil eksporti e lë Kosovën jashtë çdo gare rajonale për teknologji apo produkte me vlerë të lartë të shtuar, ndërsa tregon se përpjekjet për të ndërtuar industri prodhuese të qëndrueshme kanë mbetur në letër.

Importet dominojnë – Kosova konsumon gjithçka nga jashtë

Në anën tjetër, importet janë të shpërndara në sektorë që ilustrojnë varësinë e plotë të ekonomisë kosovare nga jashtë, përfshirë edhe ato që teorikisht do duhej të prodhoheshin brenda:

14,0% e importeve përbëhen nga produktet minerale (naftë, gaz, etj.),

12,3% janë makineri dhe pajisje mekanike/elektrike,

12,2% janë ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – pra edhe ushqimin e përditshëm nuk po arrijmë ta sigurojmë brenda vendit.

11,6% janë mjete transporti, 9,9% metale bazë dhe 7,5% produkte të industrisë kimike.

Kjo strukturë tregon një ekonomi që nuk arrin të sigurojë as produktet bazike dhe vuan nga mungesa e prodhimit të brendshëm, duke i zhytur qytetarët në një qark vicioz konsumi dhe papunësie.

Tregtia me BE-në: Varësi në rritje, bilanc në humbje

Në vitin 2024, eksportet e Kosovës drejt BE-së arritën në 312,6 milion euro, ose 33,2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje modeste prej 12,2%. Partnerët kryesorë ishin Gjermania (10,7%), Italia (4%) dhe Holanda (2,7%).

Ndërkohë, importet nga BE-ja arritën në 2,9 miliardë euro, ose 44,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12,1%, që do të thotë se për çdo euro që eksportojmë drejt BE-së, importojmë gati nëntë euro mallra nga ajo.

Tregtia me CEFTA-n: Rritje eksporteve, por bilanci ende negativ

Nga vendet e CEFTA-s, Kosova eksportoi 426 milionë euro, ose 45,2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24,0% – një nga të vetmet zhvillime pozitive në raport. Shqipëria (18,1%) dhe Maqedonia e Veriut (15,3%) janë partnerët kryesorë.

Por edhe pse eksportet u rritën, importet nga CEFTA ishin 851,9 milionë euro, ose 13,4% të importeve të përgjithshme, që do të thotë se edhe me rajonin kemi një bilanc negativ, ndonëse më të butë, dhe përjashtimisht këtë vit me një rënie prej (-8,1%).

Tregtia me pjesën tjetër të botës: Kina e Turqia dominues absolut

Eksportet me vendet e tjera të botës ishin 202,9 milionë euro (21,6%), ndërsa importet 2,7 miliardë euro (41,9%). Partnerët më të mëdhenj për eksport ishin Zvicra (9,2%) dhe SHBA (4,2%).

Megjithatë, në import mbizotërojnë Turqia (14,4%) dhe Kina (11,9%), dy vende që dominojnë tregun vendor me produkte të lira, duke e bërë pothuajse të pamundur konkurrencën e prodhuesve vendorë dhe duke e reduktuar më tej hapësirën për zhvillim industrial brenda vendit.

Të dhënat e publikuara nga ASK nuk janë thjesht një përmbledhje statistikore. Ato janë akuza më e qartë ndaj një politike ekonomike që, përkundër fjalëve të mëdha për zhvillim, ka prodhuar një realitet ku Kosova importon gjithçka, eksporton pak dhe mbetet e varur, pa kapacitete të qëndrueshme për rritje.

Deficiti tregtar në rritje, mbulueshmëria minimale e eksporteve ndaj importeve, struktura primitive e eksportit dhe dominimi i tregut nga mallrat e huaja janë tregues të dështimit në ndërtimin e një ekonomie të prodhimit dhe zhvillimit të brendshëm.

Përballë këtyre shifrave, zëvendësimi i retorikës me masa konkrete është domosdoshmëri. Në të kundërtën, bilanci i Kosovës do të vazhdojë të shkruhet me të kuqe. /Demokracia.com/

Të ngjashme