Lajme
43 mijë qytetarë ikën nga Kosova| Kurti shfaqet si drejtues i një shteti pa halle, flet si kritik arti për operat e Mozzartit
Demokracia
22:52 | 25 Tetor 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Austrisë me rastin e Festës Kombëtare të këtij vendi. Ai ka tentuar të impresionojë të pranishmit me njohuritë dhe shijen e tij të hollë për muzikën klasike.

Kurti duket se nuk po e ndjen fare presionin ndërkombëtar për shtyrjen e afatit për targat, as ikjet masive nga Kosova, por e luan pak kritikun e artit, shkruan Demokracia.com.

“Në mënyrë të veçantë, dua të falënderoj ambasadorin Weidinger për diskutimet dhe bisedat që kemi pasur krahas kafes, verës dhe drekave, ku përveçse ramë dakord për kaq shumë çështje politike dhe gjeopolitike, kemi konstatuar edhe se dy operat më të mira të shkruara ndonjëherë janë të dyja nga Mozzart, përkatësisht “Martesa e Figaros” dhe “Don Giovani””, ka thënë ai me këtë rast.

Kurti tregoi se ende nuk janë pajtuar me ambasadorin Weidinger se cila është aria më e mirë.

“E ardhshmja është për mua dhe shpresoj që në të mund të eksplorojmë mundësitë për të rënë dakord për arien më të mirë të këtyre të dyjave, ku sigurisht zgjedhja nga “Don Giovani” është shumë më e pasur se te “Martesa e Figaros””, ka thënë kryeministri Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

Kam kënaqësinë të festoj sot këtu bashkë me ju Ditën Kombëtare të Austrisë, një vend i dashur për kombin tonë, një vend që ka përkrahur shtetësinë e Kosovës dhe popullin e saj në kohët tona më të vështira.

Ne e dimë se Austria ka kontribuar shumë në zhvillimin e lidhjeve me popullin tonë, duke filluar nga fillimi i viteve ’70-ta – koha e Gastarbeiter, më pas duke u ofruar strehim qytetarëve tanë gjatë okupimit dhe luftës në vitet ’90-ta; sigurimi i paqes me ushtarët austriak të KFOR-it dhe njohja e pavarësisë sonë në vitin 2008. Më lejoni të shpreh një falënderim të madh (Grossen Dank) për të gjithë këta ushtarë për shërbimin e tyre në vendin tonë. Për më tepër, kemi një diasporë të madhe në Austri me mijëra njerëz që jetojnë, studiojnë dhe punojnë atje.

Akti Austriak i Neutralitetit më 26 tetor 1965 nuk nënkuptonte asnjëherë kufizim politik, por bashkëpunim ndërkombëtar të bazuar në vlerat e vërteta evropiane, që synojnë sigurimin e paqes globale, të sanksionuara në kushtetutën e saj.

Kosova ka marrë shumë nga kjo mbështetje dhe prandaj ka arritur shumë. Këto arritje janë kryesisht për shkak të aleatëve në Austri. Kujtojmë Alois Mock, i cili si ish-ministër i Punëve të Jashtme, ishte një zë i fuqishëm për Kosovën gjatë viteve të 90-ta, po ashtu edhe ish-kancelari Franz Vranicki dhe veçanërisht zëvendëskryeministri i tij Erhard Busek, dhe natyrisht diplomatë si, Fürst Albert Rohan, aktivistë dhe intelektualë si, Christine von Kohl, deri te parlamentarët më të fundit evropianë si, Ulrike Lunacek dhe Lukas Mandl. Falënderojmë udhëheqjen e Austrisë, veçanërisht qeverinë aktuale, e cila ka përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë në programin e saj qeverisës.

Përveç lidhjeve tona të ngushta kulturore dhe politike, si Kryeministër jam veçanërisht krenar që bashkëpunimi ynë ekonomik në tregti dhe investime po rritet.

Kompanitë austriake renditen ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, si në shërbime ashtu edhe në banka, sigurime dhe energji të ripërtritshme.

Gjatë forumit të fundit të përbashkët ekonomik të mbajtur në Prishtinë në pranverën e këtij viti dhe vizitës së fundit të kancelarit Nehammer dhe ministrit të Jashtëm Schallenberg në Prishtinë, ne ramë dakord për më shumë shkëmbime ekonomike dhe mezi pres të vizitoj Vjenën në mes të nëntorit për të zhvilluar më tej këtë marrëdhënie.

Në mënyrë të veçantë, dua të falënderoj ambasadorin Weidinger për diskutimet dhe bisedat që kemi pasur krahas kafes, verës dhe drekave, ku përveçse ramë dakord për kaq shumë çështje politike dhe gjeopolitike, kemi konstatuar edhe se dy operat më të mira të shkruara ndonjëherë janë të dyja nga Mozzart, përkatësisht “Martesa e Figaros” dhe “Don Giovani”. E ardhshmja është për mua dhe shpresoj që në të mund të eksplorojmë mundësitë për të rënë dakord për arien më të mirë të këtyre të dyjave, ku sigurisht zgjedhja nga “Don Giovani” është shumë më e pasur se te “Martesa e Figaros”.

Faleminderit shumë! Jam shumë i lumtur që jemi takuar, që njohim njëri-tjetrin dhe po thellojmë bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona.

Gëzuar Ditën Kombëtare të Austrisë! Prost!​

Të ngjashme