Lajme
400 euro dënim me gjobë për të akuzuarën që tentoi të shkonte në Gjermani me pasaportë të falsifikuar
Demokracia
15:25 | 03 Mars 2022

Share:

Me 400 euro gjobë është dënuar Ayten Akbas, pasi pranoi fajësinë se në shkurt të 2022, me pasaportë të falsifikuar tentoi të shkonte në Gjermani.

Aktgjykimi ndaj saj, u shpall te enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimin me gjobë e akuzuara Akbas duhet ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plofuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërten ky dënim do të zëvëndësohetkonform nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së me dënim me burgim.

Të njëjtes, do t’i llogaritet koha e kaluar në parabugrim nga 26 shkurt 2022 deri më 3 mars 2022.

Tutje, në aktgjykim thuhet se, dokumenti i falsifikuar, pasaporta e Hungarisë do t’i konfiskohet.

Ndërsa, e akuzuara detyrohet që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro si dhe shumën prej 30 euro në Fondin e Viktimave të Krimit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjten ditë, e akuzuara Akbas pas leximit të aktakuzës nga prokuroria Rukije Sheshivari e ka pranuar fajësinë.

Akbas ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptoi një dënim sa më të butë, pasi është në gjendje jo të mirë ekonomike, duke shtuar se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligji.

Në fund, i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsërisë sjellje të tilla.

Ndërsa, mbrojtësi i saj sipas detyrës zyrtare avokati Shpetim Sadiku ka deklaruar se pajtohetme pranimin e fajësisë të bërë nga klientja e tij dhe ka propozuar që gjykata t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuses për të njëjten dhe ti shqiptoj një dënim sa më të butë.

Me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarës Akbas është pajtuar prokuroria Sheshivari dhe si i tillë është aprovuar edhe nga gjykatësi Gashi.

Ndaj të njëjtes përmes aktvednimit të marrë nga gjykatësi Gashi është hequr masa e parabugrimit, masë kjo e e shqiptuar më 26 shkurt 2022 nga po i njëjti gjykatës.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Ayten Akbas më 26 shkurt 2022, rreth orës 07:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në shkuarje, me dashje ka përdorë dokumentin e falsifikuar si original.

Sipas akatakuzës, me qëllim që të udhëtojë në destinacionin Prishtinë-Dusseldorf, në kontrollin e dokumenteve, zyrtarëve policorë iu ka prezantuar pasaportën e Hungarisë në emër të Timea Szarka.

Tutje thuhet se pasaporta në fjalë, sipas raportit të ekspertimit, lëshuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në bazë të rezultatit të ekspertimit rezulton se dokumenti është falsifikim i plotë, me ç’rast policia përmes vërtetimit e sekuestron përkohësisht dokumentin.

Me këtë, e pandehura Ayten Akbas dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 1 i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim deri në katër vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme