Lajme
312 dëshmitarë, 700 orë gjykim, shtyrje sërish| Gjithçka që ndodhi në seancën e sotme ndaj krerëve të UÇK
Demokracia
18:07 | 15 Shkurt 2023

Share:

Ishte planifikuar që gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të fillojë më 1 mars. Megjithatë, një gjë e tillë nuk do të bëhet. Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve pritet të fillojë me datën 3 prill. Ky ishte një dakordim i ekipeve mbrojtëse dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Madje, kryetari i trupit gjykues Charles Smith, zgjodhi të ironizojë pak me dakordimin e ekipeve.

“Ka një gjë që nuk është thënë asnjëherë deri më tash. Mbrojtja ka rënë dakord me ZPS-në”, tha Smith.

“Çështja fillon më 3 prill në orën 09:00. Deklarata e ZPS-së nuk zgjat më shumë se 5 orë, përfaqësuesi i viktimave deri në 45 minuta. Mbrojtja e Thaçit 3 orë, mbrojtja e Veselit 45 minuta, Selimit 1 orë, Krasniqit 1 orë e gjysmë, dhe do të ketë pyetje nga trupi gjykues”, tha Smith.

Zyra e Prokurorit të Specializuar arsyetoi këtë marrëveshje mes tyre dhe avokatëve. “Shpresonim që gjykimi të niste në mars. Megjithatë kur shikojmë kalendarët që java e fundit e marsit është e zënë për një tjetër proces gjyqësor, atëherë nuk do të kishte problem të fillonim më datën 3 prill”, tha prokurori Hawling.

Kjo ishte pika e vetme ku Prokuroria dhe avokatët u pajtuan. E gjithë pjesa tjetër e seancës së sotme u shoqërua me dallime e akuza ndërmjet dy palëve. Kjo duke nisur nga kohëzgjatja e gjykimit, numri i dëshmitarëve e deri te nxjerrja e materialeve.

700 orë kohë

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar rreth 700 orë kohë që ta paraqesë rastin e saj. Ajo pritet ta përfundojë prezantimin e provave deri në fund të vitit 2024 ose në fillimin e vitit 2025.

Ankesa për këtë kohëzgjatje pati kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Ai tha se numri prej 312 dëshmitarëve është shumë i madh, por që sërish e la këtë në dorë të Prokurorisë.

“700 orë për dëshmitarët janë shumë si kohë. Paneli nënvizon rëndësinë e kufizimit të dëshmitarëve dhe provave të panevojshme. Provat e tilla duhet të anashkalohen. Me sa duket ZPS ka ndërmend të paraqesë prova për çdo veprim kundër çdo viktime të pretenduar e çdo krimi. Dhoma vëren se strategjia e paraqitjes së provave për çdo vend krimi mund të marrë shumë kohë dhe jo domosdoshmërisht ka peshë për suksesin apo dështimin e çështjes. Kalendari që kemi dhënë përfshin 600 orë në vitin e parë të gjykimit. Ju keni 312 dëshmitarë, dhe ky numër ndryshon ka 11 dëshmitarë më pak se nga parashtrimi i mëparshëm. ZPS-ja ka thënë se çështja e tyre mund të përfundojë kah fundi i vitit 2024, eventualisht fillimi i vitit 2025”, tha Charles Smith.

Në pyetjet e trupit gjykues, ZPS-ja ka sqaruar se cilët dëshmitarë për çka do të dëshmojnë.

“Sa dëshmitarë janë në lidhje me krimet? – Nuk mund të japim një numër të saktë për dëshmitarët lidhur me krimet. Kemi 188. Për strukturën e UÇK-së? 110 dëshmitarë. Për veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve 63 dëshmitar. Nëse mblidhen këto shifra dalin më shumë se 312, disa dëshmi mund të jenë përsëritëse”, deklaruan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

ZPS-ja ka insistuar sërish se se nuk cenohet gjykimi në kohë të drejtë dhe i arsyeshëm.

Kritikat e avokatëve

Në lidhje me kohëzgjatjen e gjykimit, numrin e madh të dëshmitarëve dhe vonesat në nxjerrjen e materialeve, kanë pasur shumë kritika avokatët.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, madje ka ironizuar duke thënë se “ta mbarojmë gjykimin sa jemi gjallë”

“Na i kanë lënë ne në dorë mijëra faqe të materialeve. Ne nuk e dijmë çka mendon Prokuroria që është me rëndësi. Nuk na intereson asnjëri, dua ta mbarojmë sa të jemi gjallë. Mos të zgjatet pa fund. Ju e kuptoni sa vështirë është të marrësh mijëra faqe, të na hedhësh, dhe të gjejmë se çfarë është ajo që Prokuroria do të paraqesë si çështje nga ana e saj. Këtu u fol për pjekurinë e një institucioni. Në rastin Haradinaj u mor vendim për përgjegjësinë komanduese, kurse komandanti nuk u deklarua fajtor. Këtë duhet ta shqyrtojmë gjatë pyetjes së 12 dëshmitarëve”, deklaroi Keohe.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kritikuar faktin se krerët e UÇK-së janë më shumë se dy vjet në paraburgim. Ai ka thënë se në situatën aktuale, më i gjatë do të jetë gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve, se ai i Millosheviqit, transmeton Nacionale.

“Në vetvete është në dëm te të akuzuarve sepse kanë dy vite që qëndrojnë në paraburgim. Sepse zgjatja është armik i drejtësisë, i të drejtave të të akuzuarve. Aktakuza ndaj Millosheviqit, ku filloi fushata në Ballkan. Unë besoj që në këtë rast, periudha e aktakuzës mbuloi 10 vite në gjithë Ballkanin. Në atë rast nuk u shtrua çështja se çfarë u urdhërua të bënin, por çfarë bënë. Prokuroria paraqiti faktet e saj. Ajo mori 360 orë për ta paraqitur, teksa në rastin tonë po duhet dyfishi. Tek rasti i Millosheviqit, do të duhej të ishin dashur 20 vite nëse do të vazhdonte me këtë logjikë si tani”, deklaroi Emmerson.

Avokatët kanë kritikuar edhe vonesat në shpalosjen e materialeve. Emmerson ka përmendur rastin e Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës. Janë përmendur edhe krimet serbe në Kosovë.

Në rastin Haradinaj janë paraqitur prova, UÇK-ja nuk kishte as mjete të kalojë në rrugë, as mjete komunikimi, udhëtonin natën që të mos sulmoheshin, kjo lidhet me organizimin e UÇK-së në atë kohë. Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi periudhën nëntor-prill. Pastaj 24 mars 1999 që është fillimi i bombardimeve. Ajo që ndodhi pas bombardimeve është objekt i gjykimeve të tjera në TPNJ. Për ne qëllimi i gjenocidit ishte i pranishëm”, deklaroi Ben Emmerson.

Gjykimi pritet të fillojë me 12 dëshmitarët e parë, për të cilët mbrojtja tashmë ka nisur përgatitjet. Ata do të japin dëshminë e tyre pas dhënies së deklaratave hapëse.

Të ngjashme