300 qeli burgu në Qendrën e Paraburgimit që gjendet në fshatin Pasjak të Gjilanit (administrativisht, pas decentralizimit pjesë e Komunës së Novobërdës), shumë shpejt mund të mbushen me rreth 300 të burgosur nga Danimarka. Në këmbim të kësaj marrëveshjeje, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro nga shteti danez. Për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në fundin e vitit 2021, u zotuan ministrat nga të dyja shtetet. Por për t’u ratifikuar kjo marrëveshje duhen të paktën 80 votat e deputetëve në Kuvend.
Opozita ka shprehur dilemat e veta në lidhje me këtë marrëveshje. Por gjatë ditës së enjte është vërejtur angazhim i shtuar i danezëve për t’a bindur opozitën në lidhje me këtë çështje.
Një delegacion prej Ministrisë së Drejtësisë të Danimarkës e ambasadori i tyre në Kosovë, të enjtën kanë takuar, kreun e AAK-së Rmaush Haradinaj, e Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Aben Gashi.
Haradinaj pas takimit, e tha hapur, se do t’a mbështes këtë marrëveshje.
“I konfirmova mbështetjen time dhe të Aleancës në ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve tona për transferimin e të burgosurve.” – ka shkruar Haradinaj.
Ndërkohë “më i rezervuar”, është treguar Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tregoi se e ka pritur delegacionin, duke shtuar se kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve, por pa përmendur marrëveshjen për burgun.
“Sot, prita ambasadorin jorezident të Danimarkës në Kosovë, Christian Grønbech-Jensen, bashkë me delegacionin nga Ministria e Drejtësisë e këtij vendi mik. Me këtë rast, diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe rajon, si dhe për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Danimarka ka qenë dhe mbetet vend mbështetës i Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në rrugëtimin integrues.” – ka shkruar ai.
Nuk dihet nëse ky delegacion ka takuar edhe eksponent të partisë tjetër opozitare, PDK.
KMDLNj kundërshton ashpër
Marrëveshjen për transferimin e rreth 300 të burgosurve nga Danimarka, e ka kundërshtuar tërë kohën Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut.
Në një komunikatë për media, ata këtë marrëveshje e patën vlerësuar si diskrimnuese dhe me rreziqe të mëdha për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Të burgosurit që do transferohen nga Danimarka nuk janë shtetas danezë por të vendeve tjera e që janë dënuar në Mbretërinë e Danimarkës dhe të cilët, pak para se ta përfundojnë dënimim në Kosovë do të kthehen në Danimarkë për t’u dëbuar në shtetet dhe vendet e origjinës”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.
Kosova në 10 vitet e ardhshme, duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh. Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.