Lajme
3 ditë shkollë, 2 ditë praktikë, mësimi dual atraktiv për nxënësit
Demokracia
07:29 | 17 Tetor 2022

Share:

Drenusha është nxënëse e klasës së dhjetë në qendrën e kompetencës “Shjefën Gjeçovi” në Prishtinë.

Ajo ka zgjedhur shkollën profesionale. E lumtur që krahas mësimit në shkollë, do të aftësohet profesionalisht, falë sistemit dual

“Është hera e parë që është hapë një profil i tillë në shkollën tonë dhe  mendoj që do të na e lehtësojë shumë sepse ka shumë frizerë profesionistë që ndoshta kanë studiuar jashtë, por në Kosovë është hera e parë që është hapur”, thotë nxënësja Drenusha për RTK-në.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka vlerësuar këtë model që praktikohet kryesisht në shtetet e zhvilluara.

“Mësimi dual për here të parë po implementohet në formë të plotë në Republikën e Kosovës. Jemi shumë të lumtur që e kemi filluar këtë nismë edhe duhet falënderuar shumë bizneseve”, thotë ministrja Nagavci.

Nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional thonë se ky lloj mësimi dual, ka perspektivë për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Qëllimi i arsimit profesional është që ne  në sistemin arsimor t’i japim çdo here mundësi të punësimit”, thotë Fikrije Zymberi nga kjo agjenci.

Këtë mundësi do ta gëzojnë 25 nxënës të Qendrës së Kompetencës “Shtjfen Gjeçovi” të profilit të floktarisë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me biznese për kryerjen e praktikës profesionale.

“Besoj që në të ardhmen kjo do të bëjë një jehone shumë të madhe dhe të rregullohet edhe infrastruktura ligjore, në mënyrë që definitivisht mësimi dual të realizohet, sepse është treguar i suksesshëm”, thotë  drejtori i kësaj shkolle, Blerim Gërvalla.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, nxënësit në klasën e dhjetë, dy ditë të mësimit i kalojnë në punë praktike dhe tre ditë në shkollë, ndërsa në klasën e njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë, 3 ditë në punë praktike dhe 2 ditë në shkollë.

Të ngjashme