Lajme
3.5 milionë euro në ditë, Shqipëria blen energji me çmime rekord
Demokracia
19:49 | 15 Korrik 2022

Share:

Shqipëria po blen energji me çmimet më të larta të kontraktuara ndonjëherë.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka blerë javën e fundit energji me çmim 430 euro për megavat orë, duke arritur rekrode historike.

Çmimi i energjisë në bursën hungareze arriti në 417 euro një ditë më parë dhe 390 euro këtë të premte.

KESH ka shpenzuar 3.5 milionë euro në ditë për të blerë energjinë. Për të gjithë korrikun fatura për sigurimin e energjisë kap vlerën e 50 milion eurove.

Çmimet e larta të energjisë në import kanë detyruar Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare që të rritë prodhimin e energjisë përballë shtesës së kërkesave për konsum.

Rezerva energjitike ka arritur 0.9 gigavat orë nga 1 gigavat që ishte 10 ditë më parë. Por pavarësisht shtimit të prodhimit, Shqipëria nuk ka arritur që të përballojë vetë nevojën për konsum.

40% e kërkesës për energji po importohet, ndërsa niveli në hidrocentralin e Fierzës ka rënë me 4 metra krahasuar me fillimin e muajit.

Fierza ka arritur 285 metra, ndërsa Komani dhe Vau i Dejës ndodhen në kuotat e 177 dhe 73 metrave. (GRAFIK)

KESH ka blerë 50 mijë megavat orë energji javën e fundit dhe ka hapur një tjetër tender për blerjen e një sasie të ngjashme për ditët e ardhshme.

Sipas çmimeve ku po shkon tregu fatura e energjisë elektrike për korrikun dhe gushtin pritet të arrijë në 100 milionë euro.

Të ngjashme