Lajme
27 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë të para 10 vjetësh në Junik
Demokracia
17:30 | 06 Prill 2022

Share:

10 vjet më parë në Junik, Bujar Demaj kishte vrarë Vllaznim dhe Blerim Pukajn dhe kishte plagosur Nazmi Pukajn. 

Gjykata Themelore në Pejë i ka shqiptuar dënim prej 27 viteve të pandehurit Bujar Demajt për vrasjen e Vllaznim dhe Blerim Pukajt, si dhe për plagosjen e Nazmi Pukajt.

Kjo është bërë e ditur nga e Gjykatës së Pejës.

“Të pandehurin B.D gjykata e gjykoj me dënimin unik me burgim afatgjatë në kohëzgjatje prej njëzeteshtatë (27) vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”, thuhet në njoftim të Gjykatës, shkruan Dmeokracia.com.

Sipas aktakuzës Demaj, më 16 mars të vitit 2012 ka privuar nga jeta dy viktimat, Blerim Pukaj i moshës 27 vjeçare dhe Vllaznim Pukaj i moshës 32 vjeçare, ndërsa e ka plagosur të dëmtuarin Nazmi Pukaj, i moshës 35 vjeçare.

Njoftimi i plotë i Gjykatës, pa ndërhyrje:

Njëzeteshtatë (27) vite burgim ndaj të pandehurit B.D për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje

06 prill 2022 – Gjykata Themelore në Pejë –  Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallë  aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.D për shkak se:

Me datë 16.05.2012, rreth orës 14:25, me dashje dhe me armë ka privuar nga jeta dy viktimat, B.P i moshës 27 vjeçare dhe V.P i moshës 32 vjeçare, si dhe ka plagosur rëndë të dëmtuarin N.P i moshës 35 vjeçare, në atë mënyrë që pasi që viktima V.P, martohet me  motrën e të pandehurit,  e cila në atë kohë  ka qenë e martuar me B.T për dy vite dhe pas dy viteve e njëjta martohet me nipin e viktimës V.P, ashtu që për shkak të këtyre martesave raportet acarohen në mes të familjes së të pandehurit dhe familjes së viktimave me ç’rast  ditën kritike përderisa viktimat B,  V dhe  N.P ishin me automjetin e tyre dhe me të arritur te varrezat vërehen nga i pandehuri B dhe i dënuari Sh, i cili ishte duke e drejtuar automjetin, i njëjti e tejkalon automjetin e viktimave duke ju dal përpara dhe bllokuar rrugën, me ç’rast  nga automjeti i viktimave fillimisht del i dëmtuari N.P i cili posa  afrohet të pandehurit B për të biseduar, nga prapa në kokë goditet me bisht të sëpatës nga i dënuari Sh dhe pasi që rrëzohet në tokë, të dëmtuarit N i afrohet i pandehuri B i cili gjuan me revole dy herë në drejtim të tij, duke e plagos në dorë dhe në abdomen, e me pas i pandehuri B gjuan me revole,  ku me një predhë e godet për vdekje në gjoks viktimën B dhe në momentin kur viktima V tenton të ik, i njëjti  goditet me dy predha nga pas nga i pandehuri B.D, ku gjatë rrugës për në spital viktima V ndërron jetë.

Me këto veprime i pandehuri B.D ka kryer vepër penale vrasje  e rëndë nga neni 147 pika 11 të KPPK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 328 par.2 të KPPK-së.

Të pandehurin B.D gjykata e gjykoj me dënimin unik me burgim afatgjatë në kohëzgjatje prej njëzeteshtatë (27) vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I pandehuri u obligua që në emër të paushallit gjyqësor, të paguaj shumën prej pesëdhjetë (50) euro dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, të gjitha këto në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil.

Të pandehurit masa e paraburgimit i vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Demorkacia.com/

Të ngjashme