Pothuajse 25 milionë ton drithëra janë bllokuar në Ukrainë dhe nuk mund të largohen nga vendi për shkak të sfidave të infrastrukturës dhe porteve të bllokuara të Detit të Zi, duke përfshirë Mariupolin, ka thënë një zyrtar i agjencisë ushqimore të OKB-së të premten, raporton Sky News.
Blloqet shihen si një faktor prapa çmimeve të larta të ushqimeve, të cilat arritën një rekord në mars, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, përpara se të lehtësoheshin pak në prill, tha Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO).
Ukraina ka qenë eksportuesi i katërt më i madh në botë i misrit, në sezonin 2020/21 dhe eksportuesi numër gjashtë i grurit, sipas të dhënave të Këshillit Ndërkombëtar të Drithërave.
“Është një situatë pothuajse groteske që shohim për momentin në Ukrainë me afro 25 milionë tonë drithë që mund të eksportohen, por që nuk mund të largohen nga vendi thjesht për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe bllokadës së porteve”, ka thënë Josef Schmidhuber, zëvendësdrejtor i FAO-s, në një konferencë shtypi.
Kjo vjen pasi shefja e Organizatës Botërore të Tregtisë tha këtë javë se ajo ishte “seriozisht e shqetësuar” për çmimet spirale të ushqimeve.
“Do ta ndihmonim vërtet botën nëse do të mund ta evakuonim këtë sasi drithi nga Ukraina”, ka thënë Ngozi Okonjo-Iweala.
“Ekziston një rrezik serioz që çmimet e ushqimeve të rriten dhe të dalin jashtë përballueshmërisë që mund të çojë në më shumë uri”, ka shtuar ajo.