Lajme
24 vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës: A do ta hetojë Gjykata Speciale?
Demokracia
21:00 | 22 Maj 2023

Share:

Sot u bënë 24 vjet nga njëra prej masakrave më të tmerrshme nga regjimi serb, ajo e Burgut të Dubravës. Ndonëse disa prej të burgosurve të mbijetuar, siç janë Enver Dugolli, Nait Hasani, Ukë Thaçi, Asllan Selimi e të tjerë e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, ende nuk ka pasur asnjë ndëshkim për kriminelët. E së fundmi Enver Dugolli e ka vënë para një sfide Gjykatën Speciale, respektivisht Prokurorinë.

Çka po kërkon i mbijetuari Dugolli?

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është para një testi të madh. Për herën e parë dikush nga Kosova ka dorëzuar kallëzim penal atje lidhur me krimet serbe në Kosovë.

Ishte deputeti i Vetëvendosjes si dhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, që iu drejtua Prokurorisë me prova lidhur me këtë masakër.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në një përgjigje për gazetën Nacionale nuk ka pranuar të ofrojë shumë detaje. Megjithatë, ka thënë se janë të hapur të pranojnë dëshmi të cilat mund të kontribuojnë për proceset.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e diskuton hetimin e vet në medie, por me kënaqësi pranon kontribute përkatëse dëshmuese”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Në Kosovë deri më tash Specialen e kanë akuzuar si gjykatë njëetnike. Megjithatë, përfaqësuesit më të lartë të këtij institucioni e kanë mohuar në vazhdimësi këtë. E ky kallëzim penal i deputetit Dugolli, duket se mund t’i jap përgjigje njëherë e mirë kësaj teme.

Deputeti Dugolli në një konferencë që e mbajti në Kuvend para pak ditësh, njoftoi se i është drejtuar me letër zyrtare U.D Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting.

Në një konferencë për media, ai ka “sfiduar” prokurorinë speciale, duke thënë se nëse kjo gjykatë nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që mos të fillojnë hetimet.

“Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim”- ka thënë Dugolli

Tutje Dugolli është shprehur se i mban në mend emrat edhe të urdhërdhënësve edhe të kryerësve të këtyre veprave, dhe se posedon prova të mjaftueshme për t’i deponuar në organet e drejtësië.

“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër. Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, tha ai.

Deri më tash, të paktën zyrtarisht, nuk ka pasur ndonjë hetim, procedurë apo edhe aktakuzë që është ngritur ndaj ndonjë serbi për krime lufte, shkruan Nacionale.

E për mungesën e drejtësisë për këtë rast foli edhe Kryeministri Kurti “Ndonëse të burgosurit e mbijetuar, sikurse Enver Dugolli, Nait Hasani, Ukë Thaçi, Asllan Selimi e të tjerë autorë, e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës deri në detaje bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryeministri shtoi se ata ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve.” – tha Kryeministri

Trendafilova: S’jemi një etnik

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova, disa herë është përgjigjur në këtë pyetje. Ajo ka insistuar se Gjykata Speciale nuk është një etnike.

Së pari ne nuk jemi gjykatë një etnike, ne jemi gjykatë, e kemi mandatin që është vendosur me një marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshjen e vitit 2014. Më pas me amendamentin kushtetues, neni 162 i është shtuar Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë të qartë kemi të bëjmë me ngritjen e Dhomave të Specializuara, si dhe me ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe kemi të bëjmë me krime të kryera në periudhën janar 1998-dhjetor 2000.” – pati thënë Trendafilova para gazetarëve.

Tutje Kryetarja e Gjykatës, tek sa shpjegon rolin e Prokurorit të Specializuar, përmend faktin se në rolin e viktimave, ka diversitet nacionalitetesh.

Këtu është pika e dytë e rolit të prokurorit, Prokurori i Specializuar është për të vendosur se çfarë hetimesh do të ndërmarrë, kë do ta vë para përgjegjësisë dhe kjo është diçka që përsëritet vazhdimisht në media. Dhe nuk e kuptoj pse ekziston kjo këmbëngulje në promovimin e kësaj pikëpamje për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi të bëjmë me përgjegjësi penale individuale, për krime gjëja të kryera, dhe mandati ynë nuk ka të bëjë me organizata, me grupe, me etni. Pika e fundit, kemi viktima që kanë aplikuar deri më tani në punimet e katër rasteve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë absolutisht të etnive të ndryshme. Ka shqiptarë, për shembull në rastin e prokurorisë speciale kundër z.Mustafa, tetë viktimat janë shqiptarë të Kosovës. Pastaj kemi edhe viktima në rastin kundër z. Shala, kemi në rastin kundër ish-presidentit z.Thaçi, Krasniqi, Selimi dhe Veseli. Pra, kjo është përgjigja ime. Ne nuk jemi fare gjykatë një etnike” – ishte shprehur Trendafilova

Çka thotë Ligji për Dhomat e Specializuara?

Por, në nenin nji pika dy, të Ligjit për Dhoma të Specializuara, përcaktohet fusha e veprimit si dhe qëllimi i këtij ligji.

Aty përmendet kryefjalë është pikërisht, Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Dhomat e specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij, krime të cilat ndërlidhen me ato që janë raportuar në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011, dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”).” – thuhet në nenin një të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Të ngjashme