Lajme
24 vjetori i çlirimit, Krasniqi: E kaluara të shërbejë për të forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë
Demokracia
13:48 | 12 Qershor 2023

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në Ditën e Çlirimit ka thënë se sot duhet kujtuar qindra e mijëra qytetarë që sakrifikuan gjithçka që patën për liri.

Kreu i PDK-së thotë se duhet nderuar mijëra luftëtarë të UÇK-së, dëshmorë, invalidë e veteranë të cilët me heroizmin dhe flijimin e tyre mundësuan dhe shtruan rrugën e drejtë.

“Me respektin më të lartë për miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët, kur na duhej më së shumti, ishin aty për ne – për të finalizuar përpjekjen shekullore për liri”, shkruan mes tjerash Krasniqi.

Postimi i plotë:

Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!

Me kujtimin për qindra e mijëra qytetarë të vendit tonë, të cilët, ndër breza, sakrifikuan gjithçka që patën për liri;

Me nderimin për mijëra luftëtarë të UÇK-së, dëshmorë, invalidë e veteranë, të cilët me heroizimin dhe flijimin e tyre mundësuan dhe shtruan rrugën tonë të drejtë;

Me dhembjen më të madhe e të paharruar për martirët, viktimat civile, të zhdukurit, gratë e dhunuara dhe refugjatët – viktima të një sistemi gjenocidal;

Me besimin në pastërtinë e luftës për liri dhe në rikthimin e shpejtë të çlirimtarëve tanë në mesin tonë;

Me respektin më të lartë për miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët, kur na duhej më së shumti, ishin aty për ne – për të finalizuar përpjekjen shekullore për liri;

Me ndjenjën më të thellë të falënderimit dhe mirënjohjes për veprimtarët, intelektualët, të burgosurit politikë, mësimdhënësit, mjekët dhe infermierët, minatorët, artistët, sportistët, mërgimtarët dhe gjithë popullin tonë, pa dallim, që asnjëherë nuk u ndalën së punuari e besuari për këtë ditë;

Me shpresën se e kaluara jonë, si popull dhe si shtet, do të shërbejë si shembull e orientim për të kultivuar e forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë edhe në të ardhmen;

Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!

Të ngjashme