Lajme
24 vjet nga çlirimi i Kosovës, Begaj: Mirënjohës SHBA, NATO-s dhe UÇK-së
Demokracia
11:03 | 12 Qershor 2023

Share:

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat okupatore të Ish-Jugosllavisë.

Në një postim në Facebook, kreu i shtetit thotë se shqiptarët i janë mirënjohës përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së.

“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë! Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO”, uron Begaj.

Sot shënohen 24 vjet që kur Kosova u çlirua nga forcat paramilitare serbe dhe pikërisht në këtë ditë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Pra, më 12 qershor të vitit 1999 do të ishte dita që do të shënonte fundin e luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Kujtojmë se deri tani kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

Të ngjashme