Një këngëtare meksikane u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj në një restorant në Mexico City, njoftuan autoritetet lokale të shtunën, shkruan DailyMail.
Yrma Lydia, 21 vjeç, e cila sapo kishte filluar karrierën e saj në muzikë, u qëllua të enjten mbrëma në restorantin Suntory Del Valle në jug të qytetit, kur u sulmua nga partneri i saj, 79-vjeçari Jesus Herandez Alcocer.
“Një burrë qëlloi tre herë gruan e tij. Ai tashmë është i arrestuar së bashku me një grua tjetër që e shoqëronte”, ka thënë Omar Garcia Harfuch, sekretari i Sigurisë për Mexico City.
Sipas dëshmitarëve, pas një debati, një burrë ka qëlluar këngëtaren, e cila rezultoi se ishte gruaja e tij.
Alcocer u përpoq të korruptonte policinë për ta lënë të arratisej nën shoqërinë e një prej rojeve të tij të sigurisë, i cili gjithashtu u arrestua.
Alcocer ishte akuzuar më parë për zhvatje.
Dhuna gjinore është intensifikuar në Meksikë vitet e fundit me një mesatare prej 10 grave të vrara çdo ditë.
Krimi është në rritje në Meksikë veçanërisht nën epokën e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, i cili erdhi në pushtet me premtimin se do ta luftonte dukurinë e tillë.