Lajme
2022-shi, viti i tërmetit politik: Arrestimet e bujshme që tronditën PS-në dhe “lufta” në PD
Demokracia
17:02 | 31 Dhjetor 2022

Share:

2022-shi ka qenë një vit i trazuar për politikën shqiptare. Një ndryshim të befasishëm pësoi Partia Demokratike, pas prishjes se marrëdhënieve mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, kur ky i fundit u shpall non grata nga SHBA.

Përjashtimi i Sali Berishës nga grupi i partisë që themeloi 30 vite më parë solli një furtunë që s’kishte ndodhur kurrë më parë brenda PD-së.

8 janari e shndërroi selinë e PD në një arenë përplasjesh brenda demokratëve. Protesta e organizuar nga Berisha dhe demokratët që e mbështetën, la një panoramë me dyer të shkatërruara, dritare të thyera, gurë e shkopinj dhe dhjetëra të arrestuar.

U desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë turmën e irrituar që kërkonte largimin me forcë të Lulzim Bashës.

Përjashtimi i Berishës nga anëtarsia

Ngjarjet e 8 janarit bënë që kryesia e PD-së të reagojë me dorë të hekurt, duke vendosur përjashtimin e zotit Berisha nga anëtarësia e kësaj force politike më 11 janar. 9 deputetë të tjerë po ashtu u përjashtuan apo pezulluan, një masë që u shtri dhe ndaj 19 mbështetësve të ish kryeministrit, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Arrestimi i Saimir Tahirit (4 shkurt)

Ndërkohë që opozita ishte e përçarë dhe në luftë mes vetes, kryeministri Edi Rama preferoi të qëndronte në pozitat e spektatorit derisa qetësia e tij mori fund kur në fillim të shkurtit, ministri më jetëgjatë i Brendshëm, Saimir Tahiri u dënua me burg. Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

Dorëhiqet Basha

(21 mars) Qetësia në selinë blu pas trazirave të 8 janarit u prish sërish kur në zgjedhjet e 6 marsit, PD me vulën e Lulzim Bashës u rendit humbëse dhe e treta 5 nga bashkitë ku u mbajtën zgjedhje, shkruan Gazeta Express.

I gjendur në shënjestër të Berishës, dhe të grupit parlamentar, nëntë vjet pasi mori drejtimin e Partisë Demokratike, gjatë të cilave shënoi 3 humbje radhazi në zgjedhjet parlamentare, Lulzim Basha dha dorëheqjen si drejtues i partisë më të madhe opozitare, shkruan Express. Duke argumentuar vendimin e tij Basha tha se po e ndërmerr këtë hap për të bashkuar Partinë Demokratike dhe se është i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve.

“Shpresa për t’u ringritur ka marrë për fat te keq goditje të njëpasnjëshme. Personalisht investova gjithçka për një zgjidhje që do t’i shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, jam i bindur se do ta qartësojë koha” – tha Basha.

Vetëm 4 ditë më pas, Gjykata e Tiranës i njohu Berishës kuvendin e 11 dhjetorit duke i dhënë mundësinë për të rimarrë selinë e Pd. Nga ajo ditë, Alibeaj i komanduar si kryetari i PD pas largimit të Bashës nisi betejën ligjore duke kërkuar nga gjykata t’i japë zgjidhje pyetjes se kush e ka shumicën në PD.

Arrestimi i Aqi Bllakos

Pavarësisht ndarjeve të forta brenda saj, PD e ktheu betejën për inceneratorët në kalin e betejës duke thirrur njëri pas tjetrit ministrat. Hetimet për Inceneratorët i shkaktuan PS një tjetër goditje brenda grupit parlamentar. Ish deputeti Alqi Bllako u arrestua në 1 prill të këtij viti, në kuadër të hetimeve rreth çështjes së inceneratorëve, dhe kryesisht atij të Fierit. Prokuroria e ka akuzuar ish deputetin, për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës. Akuzat e ngritura ndaj tij janë hedhur poshtë nga ish deputeti.

Ikën Meta, Begaj president

Në fund të mandatit të tij Presidencial, betejën e tij të fundit me maxhorancën, Ilir Meta e zhvilloi në Gjykatën Kushtetuese ku ja doli të mbijetojë në muajt e fundit në karrigen e kreut të shtetit. Një profil ushtarak, përtej çdo thashethemi politik ishte zgjedhja e socialistëve për kreun e ri të shtetit.

I propozuar nga shumica socialiste në pushtet, Begaj u zgjodh më 4 qershor, po me votat e saj, për t’u ngjitur në postin më të lartë të shtetit. Ai mori 78 vota, nga të cilat 74 llogaritet të jenë të socialistëve, 3 të partisë Socialdemokrate, dhe një votë në favor mendohet të ketë kaluar nga 6 deputetët e opozitës (3 të LSI-së dhe 3 të PDIU-së) që morën pjesë në votim. 1 votë tjetër ishte abstenim dhe 4 kundër. LSI nga ana e saj kishte deklaruar para nisjes së seancës se do të votonte kundër. Pjesa tjetër e opozitës nuk u përfshi në votim.

Meta rithemelon LSI

Pas largimit nga presidenca, Ilir Meta iu përmbajt premtimit të tij për t’u rikthyer në politkë aktive. Ai u rikthye te krijesa e tij politike që nga 2004, Lëvizja Socialiste për Integrim. Përpara se ti propozonte Konventës ndryshimin e emrit të partisë për të nisur një krijesë të re politike, Meta tha se LSI i ka të gjithë mundësitë për të qenë një forcë ku ta gjejnë veten të gjithë. Ndërkohë ai u përball me akuza si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ai kallëzoi anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për falsifikim të dosjes. Në padinë e Metës, anëtarët e autoritetit akuzohen për 6 vepra penale.

Protesta për çmimet

Teksa lufta e brendshme politike në Shqipëri ishte e fortë, në Ukrainë lufta e vërtetë vijonte, pasojat e së cilës u reflektuan shumë shpejtë në rritje të çmimit të naftës dhe çmimeve të shportës, shkruan Gazeta Express-Shqipëri. Nisur nga kjo situatë opozita nën drejtimin e Berishës që zyrtarisht kishte marrë drejtimin e PD protestoi në 7 korrik në një protestë kombëtare, zhurma e të cilës zgjati deri në 22 korrik, kur pas SHBA edhe Britania e Madhe sanksionoi liderin historik të PD si person non grata.

Çelja e negociatave

Kur kundërshtari i tij politik ishte në kuotat e tij më të ulëta, Rama mori në Bruksel lajmin e shumëpritur për Shqiptarët, çeljen e neogicatave me Bashkimin Europian. Më 19 korrik me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare nisi zyrtarisht çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama shkarkon Ahmetajn

Ndryshimet në Qeveri ishin dekretet e para që firmosi Presidenti i ri i vendit, Bajram Begaj. Arben Ahmetaj, u shkarkua nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin. Në vend të tij u vendos Belinda Balluku.

Dorëhiqet Grida Duma dhe Alfred Rushaj

Përçarja e PD solli dhe dy largime nga grupi parlamentar. E përlotur Grida Duma njoftoi vendimin per te hequr dore nga mandati i saj si deputete, duke theksuar se kishte bërë gjithçka qe demokratet te ishin bashke. Disa ditë para Dumës hoqi dorë nga mandate ish-kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj. Javët e fundit para dorëheqjes ish-numri dy i PD, u angazhua edhe në negociata për bashkimin e PD, të cilat pas disa takimeve mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës dështuan, duke i çuar palët të ndara në zgjedhjet vendore. Mandatin e Rushajt e mori biznesmeni Petrit Doda kurse të Dumës, Ori Nebiaj.

Lufta civile në PD

Pavarësisht përpjekjeve për t’u bashkuar, PD vijoi e ndarë edhe në Kuvend. Numrat e deputetëve të dy grupimeve të PD në parlament kanë futur këtë forcë politikë në luftë civile. Kjo u pa gjatë një séance maratonë ku mbështetës të Berishës u përplasën ashpër me grupin e Alibeajt. Ky i fundit ka vota të mjaftueshme për të kaluar ligje të rëndësishme për maxhorancën.

Përplasja mes Alibeajt dhe Berishës, pasi ky i fundit e shtyu u mendua se do të ishte e fundit por rezulton gabim. Dy grupet demokrate degraduan përplasjen më tej, në këtë seancë të fundit parlamentare për këtë vit. Ishin gati të përplaseshin dhe fizikisht, në sy të gjithëve, të deputetëve dhe opinionit publik. Si duket dy grupet kanë arritur në një gjendje të tillë numerike në Parlament, që duket se i ka futur në luftë civile.

Samiti në Tiranë

Një ngjarje e rëndësishmë në vitin 2022 ishte dhe samiti i zhvilluar në Shqipëri. Për herë të parë një samit i liderëve europianë u mbajt jashtë Unionit, pikërisht në Tiranë. Mesazhi kryesor që u përcoll në të gjitha diskutimet dhe takimet midis zyrtarëve europianë dhe atyre ballkanikë ishte perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor dhe mbajtja e tij larg ndikimit rus. Gjithashtu u firmosën disa marrëveshje.

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kur udhëtojnë drejt shteteve të Bashkimit Europian, nga tetori i vitit të ardhshëm do të shpenzojnë më pak për paketat roaming. Në maj të vitit 2023 shtetet e Bashkimit Europian do të shpallin tarifa tavan të shërbimit celular për t’u aplikuar me Ballkanin Perëndimor.

Goditet Sali Berisha

Në të njëjtin ditë me samitin u zhvillua protesta e Partisë Demokratike gjatë të cilës u godit me grusht Kryetari i saj Sali Berisha. Në momentin që po marshonte në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit ku u mbajt edhe protesta e opozitës lideri democrat u godit në fytyrë nga një i ri ndërsa pësoi hemotoma në pjesën e hundës dhe poshtë syrit të djathtë.

Pas sulmit, autori Gert Shehu, u neutralizua nga truprojat e Berishës të cilët e goditën me shkelma e grushta në fytyrë e pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar edhe dëmtime.

Të ngjashme