Kuriozitete
20 tetori më i nxehtë në Kosovë që nga vitet e 70-ta
Demokracia
21:58 | 20 Tetor 2023

Share:

Prishtina Weather ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është shënuar 28C, ku ky 20 tetor edhe ishte më i nxehti në Prishtinë, ngase në shënimet paraprake që nga vitet e ’70-ta nuk ka pasur temperaturë kaq të lartë në këtë ditë.

Erërat jugore që frynë përgjatë rajonit ditën e sotme, kanë ngritur temperaturat edhe në vlera rekorde në disa pjesë.  28C ishte temperatura e regjistruar sot në aeroportin e Prishtinës, por edhe në stacionin e IHMK-së në Prizren.

Ky 20 tetor edhe ishte më i nxehti në Prishtinë, ngase në shënimet paraprake, nga vitet e ’70-ta nuk ka pasur temperaturë kaq të lartë në këtë ditë.  Ndërkohë edhe sa i përket periudhës së dhjetëditëshit të dytë, temperaturë prej 28C shfaqet pas gati 30 vitesh.

Në dhjetëditëshin e dytë të vitit 1993, regjistrohen temperatura prej 28.7C në stacionin në Prishtinë, në datat 15 e 18 tetor.

Temperatura prej 28C, edhe është më e vonshmja që regjistrohet në këtë periudhë tetori në vend.  Më 1 tetor të vitit 2012, në aeroportin e Prishtinës regjistrohet temperatura më e lartë prej 31.9C, derisa gati 20 vite më herët në stacionin në Prishtinë, me datë 1 tetor 1991, maksimalja ishte 31.5C.

Sa i përket stacionit në Prizren janë dy data në vitin 1973, më 17 e 18, kur temperaturat kanë kapur vlera prej 28C.

Temperatura ekstrem të larta  janë regjistruar në shumë pjesë të Shqipërisë.  Siç raportohet nga matjet e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak,  33C ishte maksimalja në Tiranë, 32.8C në Kuçovë.  Në Vlorë 31.6 e Durrës 31.4, ndërsa në Kukës 30.8C.

Ditë tropike, me temperaturë maksimale mbi 30C, pati edhe në Serbi.  32.4C ishte temperatura më e lartë në Valjevë, 31.1C në Kralevë, derisa edhe në Beograd u regjistrua temperatura maksimale prej 30.5C.  Në Hungari 30.3C, e në Senj të Kroacisë 30.5C.

Të ngjashme