Lajme
2-shet dhe 50-shet, paratë më të falsifikuara në Kosovë
Demokracia
18:37 | 29 Nëntor 2023

Share:

Feriz Selimaj, ekspert në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka treguar për rastet e parave të falsifikuara që kjo agjenci i ka ekzaminuar.

Sipas tij, kartëmonedhat më të falsifikuara janë ato në vlerë prej 50 euro, kurse monedhat metalike janë ato në vlerë prej 2 euro.

“Në bazë të statistikave që i posedon Agjencia, gjendja e dëshmive dhe rasteve që kanë ardhur për ekspertim, për periudhën 1 janar- 31 tetor 2023, divizioni për dokumente dhe dorëshkrime ka ekzaminuar 615 raste me gjithsej me 3816 dëshmi (kartëmonedha), kurse sa i përket monedhave, kemi pasur gjithsej 104 raste me gjithsej 43553 dëshmi”.

“Pra, sa i përket kartëmonedhave të falsifikuara, numri i tyre është 1803 që kanë rezultuar të falsifikuara. Prej tyre, si kartëmonedha më e falsifikuar është ajo prej 50 euro (1218 copë), kurse sa i përket monedhave, më e falsifikuara është ajo 2 euro që e kap shifrën 36269 euro”, tha Selimaj për Klan Kosova.

Eksperti i Agjencisë së Forenzikës tha se sivjet ka rritje të rasteve që kanë ardhur për ekspertim në krahasim me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar.

“Nëse e bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi pasur gjithsej 603 raste me 2060 dëshmi për kartëmonedha, kurse sivjet kemi 3816 sosh. Ndërsa sa u përket monedhave metalike, kemi pasur gjithsej 167 raste me 11508 dëshmi që i bie që edhe në këtë aspekt kemi rritje shumë të lartë”, potencoi Selimaj.

Të ngjashme