Lajme
2 muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë ndaj të akuzuarit për vjedhjen e një karroce për fëmijë dhe një telefoni
Demokracia
12:51 | 27 Maj 2022

Share:

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dënuar me dy muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë, S.S., i cili akuzohej se në gusht të 2021-ës ka vjedhur një karrocë për fëmijë, pronë e të dëmtuarit D.M, si dhe në shkurt të këtij viti ka vjedhur një telefon “Samsung”, pronë e të dëmtuarit A.K.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të premten, gjykatësi Sadri Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Krasniqi, palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi mund të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 mars 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj S.S., me arsyetimin se ai në gusht 2021, në Kamenicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka hyrë në oborrin e shtëpisë të të dëmtuarit D.H., dhe ka marrë një karrocë, për fëmijë të cilën më pastaj ia shet një gruaje të panjohur në shumë prej dy eurove.

Me këtë, S.S. akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja” nga neni 313, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Aktakuzën e dytë ndaj S.S., Prokuroria e Gjilanit e ka ngritur më 23 mars 2022, me arsyetimin se ai në shkrurt të këtij viti në fshatin Berivojcë të Kamenicës në një lokal “Mekanik” pronë e të dëmtuarit A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror së bashku me të miturin Sh.M., shkojnë në lokalin e lartcekur dhe fillimisht i ndajnë detyrat, ashtu që i S.S. bën roje ndërsa Sh.M. depërton në lokal  përmes derës kryesore dhe vjedhë telefonin “Samsung” në vlerë prej 80 euro.

Me këtë, S.S., akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 313, pargrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme