Lajme
2 ditë para sulmit fotografuan uzinën e armëve në Gramsh, rusët agjentë të shërbimeve sekrete
Demokracia
23:10 | 20 Gusht 2022

Share:

Tre rusët që tentuan të hyjnë në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh duke plagosur dy ushtarët shqiptarë me lëndë kimike gjatë dy ditëve të fundit janë parë duke fotografuar uzinën.

Pas vëzhgimit nga larg sot kanë tentuar të futen brenda uzinës.

Bazuar në informacionet e para dyshohet se rusët janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse. Atyre u janë gjetur fotografi dhe filmime që kanë realizuar në perimetrin jashtë uzinës ushtarake të Gramshit.

Ngjarja po hetohet nga agjentët e Anti-Terrorit, të cilët po marrin në pyetje shtetasit e huaj që sulmuan ushtarët shqiptarë.

Në reagimin e saj ministria e Mbrojtjes thotë se të huajt janë me pasaporta ruse dhe ukrainase.

“Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve shqiptarë është e stabilizuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Të ngjashme