Lajme
16-vjeçarja shqiptare tregon se si i ka shpëtuar djegies me benzinë nga i dashuri i saj
Demokracia
23:02 | 26 Gusht 2022

Share:

Tre të rinj kanë dhunuar dhe kanë tentuar të djegin me benzinë një 16-vjeçare në Tiranë ditën e djeshme në ambientet e jashtme të pallatit ku jeton e mitura.

E mitura ka treguar përballë një oficere të gjithë skenën tragjike, ku bashkëjetuesi i saj, Ardit Çela, së bashku me dy shokët e tij, kishin tentuar ta digjnin me benzinë në shkallët e pallatit. Sipas dosjes hetimore që tashmë po ndiqet nga prokurori i Tiranës Saimir Hysa, autori kryesor i këtij krimi është Ardit Çela, djali i një ish-punonjësi policie në Tiranë, sipas Ora News.

Çela ka pasur mosmarrëveshje me vajzën e re kohët e fundit për shkak të dyshimeve për tradhti. Ai e ka survejuar një ditë 16-vjeçaren duke e pikasur atë me një person tjetër në hotel. Kjo ka sjellë që Çela të hakmerret, në formën me ekstreme duke vënë në zbatim planin për ta djegur me benzinë 16-vjeçaren.

Çela konsiderohet nga strukturat e komisariatit nr. 2 në Tiranë si kontingjent kriminal dhe i shoqëruar disa herë në polici. Por këtë herë ai është bërë protagonist i një ngjarje të rëndë, duke tentuar të vrasë bashkëjetuesen e tij, të cilën e ka lyer me benzinë dhe më pas ka dashur t’ia verë zjarrin me çakmak.

Sipas dëshmisë së vajzës, bashkëjetuesi benzinën e kishte siguruar në një bidon të vogël që përdoret për pijet freskuese. Tragjedia është shmangur nga vetë 16-vjeçaria e cila sapo ka ndier erën e benzinës, me të cilën e ka lyer bashkëjetuesi i saj, ka filluar të reagojë menjëherë.

“…unë kam parë Arditin që të më lagi në shkallët e pallatit me një bidon të vogël, të cilin e kishte mbushur me benzinë. Benzinën e kam dalluar nga era, dhe jam trembur shumë. Arditi ka nxjerrë nga xhepi një çakmak dhe aty, e tmerruar jam larguar me vrap përmes pallateve duke kërkuar ndihmë…” – ka treguar në polici 16-vjeçarja.

Kjo e fundit i është drejtuar komisariatit nr. 2 në Tiranë duke depozituar kallëzim penal, dhe treguar të gjithë ngjarjes. Pas denoncimit policia ka shoqëruar dhe arrestuar Ardit Çelën, për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe dy shokë të tij që kanë qenë së bashku në momentin e lyerjes me benzinë të 16-vjeçares. Gjatë marrjes në pyetje Ardit Çela nuk ka pranuar të jetë ai autor i ngjarjes. Edhe policia raportoi se shkak i konfliktit me njëri-tjetrin ishte për motive xhelozie. /Ora News

Të ngjashme