Lajme
157 mijë euro për ekskursionin e maturantëve, investim për nxënësit apo fushatë e maskuar
Demokracia
08:18 | 04 Prill 2025

Share:

Në një kohë kur turizmi shqiptar po rritet, oferta për ekskursione të organizuara për maturantë duket si një mundësi e mirë për të promovuar destinacionet turistike vendase. Ekskursioni treditor, që nis nga Gjilani dhe përfshin vizita në Kala të Krujës, qytetin historik të Vlorës, Durrësin e vjetër dhe Tiranën, duket si një paketë e plotë. Kështu ka vendosur t’i qeras këtë vit maturantët Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, shkruan Demokracia.com.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në vitin zgjedhor 2025 ka vendosur të organizojë një ekskursion treditor për maturantët e shkollave të mesme, duke ndarë një shumë prej 157,950.00 euro për këtë aktivitet. Ky ekskursion do të përfshijë 1,161 maturantë, të cilët do të udhëtojnë drejt Durrësit, Krujës, Vlorës dhe Tiranës, me qëndrim në një hotel me katër ose më shumë yje.

Megjithatë, ajo që bie në sy nuk është vetëm kostoja e lartë e këtij aktiviteti, por edhe mënyra si është proceduar me tenderin. Komuna e Gjilanit ka shkurtuar afatet e konkurrimit në vetëm 20 ditë, duke e shpallur tenderin më 3 prill dhe duke vendosur afatin për dorëzimin e ofertave deri më 23 prill. Një praktikë e tillë vë në pikëpyetje konkurrencën e drejtë dhe lë hapësirë për favorizime në procesin e përzgjedhjes.

Ndërsa, Ligji për Prokurimin Publik përcakton se afati minimal për kontrata të mëdha duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.

Tenderi është hapur më 3 prill, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 23 prill, pra vetëm 20 ditë garë. Kjo përben një shkelje të nenit 44 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili qartazi përcakton se kontratat e mëdha duhet të kenë afat minimal 40-ditorë për pranimin e ofertave.

Komuna e ka arsyetuar shkurtimin e afateve, por pa ndonjë justifikim ligjor.

“Duke u mbështetur në kërkesat e IEA-ve, veçanërisht nga shkollat e mesme të larta, dhe gjithashtu duke u referuar në UA (MASHT) nr. 02-2016, nenin 11, pika 2.5, i cili përcakton se Eskurzioni mund të realizohet në fillim të vitit shkollor (shtator-tetor) ose në fund të vitit shkollor (prill-maj), dhe duke pasur parasysh që për maturantët e sivjetëm afati prill-maj është afati i fundit, si dhe në kalendarin e vitit shkollor 2024-2025, ku përcaktohet se Përfundimi i vitit shkollor për nxënësit e klasës së XII-ta është më 15 maj 2025 , kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë ligjore për shpejtimin e procedurave të prokurimit. Kjo do të mundësojë që shkollat të realizojnë ekskursionin sipas afateve të përcaktuara në UA dhe kalendarin e vitit shkollor 2024- 2025. Në rast se ekskursioni nuk realizohet, të paktën deri në fund të muajit prill, ky aktivitet jashtëshkollor mund të dështojë, duke vënë në rrezik realizimin e tij siç është paraparë në UA, planin e punës të shkollës”, ka shkruar komuna në njoftimin për kontratë.

Një tjetër fakt shqetësues është se buxheti për këtë ekskursion nuk është propozuar dhe miratuar në Kuvendin Komunal, por është vendosur nga ekzekutivi i komunës pa një debat publik dhe institucional.

Ironikisht, vetëm një vit më parë në 2024, Hyseni e anuloi ekskursionin e maturantëve, duke e arsyetuar këtë me faktin se gjatë këtyre udhëtimeve nxënësit konsumojnë substanca narkotike, pije alkoolike dhe përfshihen në incidente të ndryshme. A është ky vit ndryshe? A janë maturantët e 2025-ës më të disiplinuar, apo thjesht është një vit zgjedhor dhe ky ekskursion po shërben për qëllime të tjera?

Në një komunë ku ka prioritete të tjera urgjente, shpërndarja e një shume kaq të lartë për një ekskursion ngrit dyshime mbi synimet reale të kësaj iniciative. A është ky një investim në arsim dhe përvojën e nxënësve, apo një përpjekje për të ndikuar në opinionin publik në një vit zgjedhor?

Sipas programit të paraqitur, ekskursioni përfshin disa ndalesa të rëndësishme historike dhe turistike:

  • Dita e parë: Nisja nga Gjilani në orën 06:30, vizitë në Kalanë e Krujës, dreka me një pije të përfshirë, akomodimi në hotel me 4 ose më shumë yje, darka dhe mbrëmje muzikore.
  • Dita e dytë: Mëngjesi në hotel, vizitë në Vlorë, dreka me një pije të përfshirë, vizitë në qytetin e vjetër të Durrësit, kthimi në hotel, darka dhe sërish mbrëmje muzikore.
  • Dita e tretë: Mëngjesi në hotel ose jashtë tij, dorëzimi i dhomave, udhëtimi drejt Tiranës me vizita të lira dhe kthimi për në Gjilan në orën 16:00.

Një element i përsëritur në program është “mbrëmja muzikore” pas darkës. Pyetja që shtrohet është: A është kjo pjesë e një programi të strukturuar për t’i dhënë ekskursionit vlerë shtesë, apo thjesht një mënyrë për të justifikuar kosto shtesë pa ndonjë përfitim real për maturantët? /Demokracia.com/

Të ngjashme