Pak muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte pritur në zyrën e tij Sekretarin e Përgjithshëm të UNMIK-u, Zahir Tanin. Këtë të fundit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e kishte falenderuar për disa gjëra. Sot, kur bëhen 15 vjet nga vdekja e ish-aktivistëve, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, Kurti tha policia e huaj i dhunoi aktivistët. Megjithatë, në takimin e tij me Tanin, shefi i ekzekutivit nuk kishte marrë guxim t’ia përmendte dy ish-pjesëtarët e vrarë të LVV-së.
Kryeministri Kurti sot vendosi lule mbi pllakën përkujtimore në sheshin kryesor të Prishtinës, që mban emrat e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, shkruan Demokracia.com.
Para mediave, Kuri deklaroi se në ditën kur policia e UNMIK-ut vrau dy aktivistët e LVV-së, po kërkonin vetëvendosje për popullit, derisa shtoi se ligji nuk i mbrojti, por i dhunoi policia e huaj.
Kaq i ashpër, Kurti nuk ishte disa muaj më parë, më konkretisht në tetor të vitit 2021, kur u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të UNMIK-ut, Zahir Tanin.
Me këtë të fundit, as që e preku çështjen e vrasjes së dy ish-aktivistëve të partisë së tij, që ranë pikërisht në protestën që e kishte thirrur vetë Kurti, shkruan Demokracia.com.
Shefi i qeverisë madje e kishte falenderuar Tanin për njoftimin në pika të shkurta të përmbajtjes së raportit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Në pamjet që u publikuan nga vet Zyra e kryeministrit, Kurti dukej shumë i buzëqeshur në takimin me sekretarin Tanin.
Mon Balaj dhe Arben Xheladini ishin vrarë më 10 shkurt të vitit 2007, nga policia e UNMIK-ut. LVV atë kohë kishte organizuar protesta kundër pakos së Ahtisaarit, të cilën e kanë kundërshtuar për vite radhazi.
Në këtë protestë, kishin mbetur të lënduar rëndë edhe dhjetëra aktivistë të tjerë të kësaj partie./Demokracia.com/