Lajme
15 mijë vota i mori në Mitrovicë, por Vjosa Osmani ende se tha asnjë fjalë për vërshimet e tmerrshme atje
Demokracia
14:57 | 20 Janar 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përgjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit ishte më e votuara nga të gjithë kandidatët e tjerë të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik ky me të cilin garonte. Nga qytetarët mitrovicas, Vjosa Osmani mori hiç më pak se 14 mijë e 628 vota. Megjithatë, presidentja nuk bëzau për vërshimet e së enjtes në vendlindjen e saj.

Ish-presidentes së Kosovës përpara zgjedhjeve mitrovicasit i dedikonin edhe vjersha. Megjithatë, Osmani ka vendosur t’i mënjanojë ata dhe të merret me politika madhore. Postimi i fundit i saj në rrjetet sociale është për Jacinda Ardern, e cila dha dorëheqje dje nga posti i kryeministres së Zelandes së Re, shkruan Demokracia.com.

Për heshtjen e Osmanit ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka kërkuar nga e para e vendit që të mbështesë banorët e zonave të prekura.

“Në një gjendje edhe ashtu të rënduar ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, banorët e Skenderajit, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut u goditën edhe nga vërrshimet. Dëmet për familjet e zonave të prekura duken të jenë shumë të mëdha. Fole ndonjë fjalë Presidente. Qytetarë të Republikës sonë janë edhe ata”, ka thënë Çitaku.

Osmani mblidhte plot 14 mijë e 628 vota në Mitrovicë, duke u bërë politikania më e votuar atje. Në një fushatë elektorale përpara disa vitesh, Osmani zotohej se nuk do ta linte Mitrovicën kurrë vetëm.

“Unë, Vjosa Osmani, bija juaj, nuk do t’ju lë vetëm asnjëherë”, thoshte në fushatë ajo.

Megjithatë, Osmani përveçse nuk ka thënë asnjë fjalë për vërshimet në Skenderaj, Istog, Podujevë, Klinë Gjakovë dhe Pejë, ajo duket se e ka lënë vetëm edhe Mitrovicën.

Ndryshe nga Osmani, shefi i saj, Albin Kurti, ka vizituar fshatin Drejë të Istogut në mëngjesin e së premtes, ku u ka dhënë shpresa banorëve për mbështetje institucionale.

Prezent në terren janë parë edhe disa nga ministrat e Kurtit.

Skenderaj sot është vizituar nga lideri i opozitës, Memli Krasniqi, i cili iu ka bërë thirrje urgjente Qeverisë për ndihmë atje për shkak të gjendjes së rënduar.

“Gjendja është e rëndë, me dëme të mëdha materiale dhe infrastrukturë të bllokuar publike. Prandaj, reagimi i nivelit qendror duhet të jetë konform situatës emergjente, me të gjitha kapacitetet shtetërore, përfshirë krijimin e një pakoje financiare për kompensimin e të gjitha dëmeve që kanë pësuar qytetarët”, deklaroi ndër të tjera Krasniqi. /Demokracia.com/

Të ngjashme