Lajme
15 dëshmitarë për 4 muaj| Me 300 dëshmitarë të Prokurorisë, sa do të zgjasë gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së?
Demokracia
12:00 | 23 Korrik 2023

Share:

Gjykata Speciale ka shkuar në pushime të verës. Kjo pas përfundimit të 15 dëshmitarëve të parë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Procesi ndaj krerëve të UÇK-së filloi më 4 prill, dhe 15 dëshmitarët e parë u dëgjuan deri kah fundi i këtij muaji. Pra në total, katër muaj për 15 dëshmitarët e parë.

Nëse Prokuroria qëndron prapa deklaratave të saj për dëgjimin e 300 dëshmitarëve në këtë proces, atëherë i bie që gjykimi në rastin kryesor të Speciales të shkojë deri në gjashtë vjet e 8 muaj. Duke llogaritur këtu edhe kohën që Thaçi e të tjerët janë në paraburgim, atëherë krerëve të UÇK-së i bie të qëndrojnë rreth 10 vjet në Qendrën e Paraburgimit.

Megjithatë, edhe nëse Prokuroria i largon një numër dëshmitarësh, gjykimi pritet të jetë i gjatë. Nëse Prokuroria e Specializuar i thërret për të dëshmuar 240 dëshmitarë, atëherë i bie 64 muaj. Kthyer në periudhë vjetore, 5 vjet e katër muaj.

Nëse ulet edhe më shumë numri i dëshmitarëve në 150, atëherë procesi gjyqësor në Hagë mund të përfundojë për 40 muaj, apo 3 vjet e katër muaj.

15 dëshmitarët e parë

Me 15 dëshmitarë që nga prilli e deri më tash janë përballur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykimin që po zhvillohet në Hagë.

Shqiptarë, serbë, të ashtuquajtur ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të krimeve të luftës. Këto kanë qenë vetëm disa nga karakteristikat e dëshmitarëve të Prokurorisë që janë marrë në pyetje deri më tash.

Gjykimi që filloi në fillim të muajit prill është ende larg përfundimit, me krerët e UÇK-së që pritet të përballen me më shumë se 150 dëshmitarë të Prokurorisë, duke mos harruar as ata të mbrojtjes.

Në këta katër muaj të gjykimit nga 15 dëshmitarë, vetëm dy prej tyre kanë dalë e kanë dhënë dëshmi me zë e figurë. Njëri ka qenë ish-komandanti në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, si dhe një ish-oficer i inteligjencës së Britanisë, që në kohën e luftës në Kosovë kishte qenë zyrtar i OSBE-së.

Të gjithë dëshmitarët e tjerë kanë dëshmuar me masa strikte mbrojtëse. Pa zbulim të identitetit, me zë të deformuar, e sikur të mos mjaftonte edhe me pjesën më të madhe të seancave që zhvilloheshin tërësisht të mbyllura.

Prokuroria është arsyetuar se kjo po bëhet me qëllim që të mos zbulohet asnjë detaj për viktimat të cilat mund të jenë të rrezikuara. Por, trupi gjykues e obligoi Zyrën e Prokurorit që të hartojë plan me të cilin pjesë të dëshmive të jenë të hapura, me qëllim të transparencës.

Disa nga dëshmitarët kanë bërë ndryshime nga deklaratat të cilat i kishin dhënë më herët në Prokuroria apo në procese të tjera. Rasti i ngjashëm është me dëshmitaren e parë. Megjithatë publiku në Kosovë kurrë nuk arriti të kuptojë nëse këto ndryshime shkojnë në favor apo dëm të të akuzuarve, duke mos pasur njohuri se për çfarë ndryshimesh është fjala.

E në disa raste, dëshmitarët por edhe prokurorët kanë treguar se nuk ia kanë fort haberin zhvillimeve kryesore të luftës në Kosovë. Dëshmitari i dytë në këtë proces ka qenë një ish-zyrtar i LDK-së që pretendonte se ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, ai nuk i kishte të sakta informacionet kryesore lidhur me daljen publike të UÇK-së. E para ai tha se në Llaushë pati mbajtur fjalim Mujë Krasniqi, kur dihet që atje ka folur vetëm Rexhep Selimi. Dhe e dyta, tha se vetëm Mujë Krasniqi ka dalur pa maskë në skenë, përderisa dihet se pa maskë ka dalur edhe Daut Haradinaj.

Në 15 dëshmitarët e parë, një numër prej tyre kanë qenë shqiptarë të Kosovës. Disa pretendonin se ata, ose familjarët e tyre, janë ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së nëpër qendra të ndalimit e janë rrahur e maltretuar. Megjithatë, të paktën në seancat që kanë qenë publike, nuk është dëgjuar që ndonjëri nga këta dëshmitarë apo viktima t’i ketë përmendur Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin si të përfshirë në këto ndalime.

Ngjashëm sikur këta shqiptarë, me zë të deformuar e pa identitet dëshmoi edhe një serb. Edhe ky pretendoi se ishte ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së në fshatin Bradash. Dëshmitari në përgjigjet e tij kishte akuzuar Latif Gashin se me urdhër të tij ishte rrahur në një qendër ndalimi. Gjithashtu e kishte përmendur edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafës.

E kur të përmendet Rrustem Mustafa, dëshmia e këtij të fundit pritet të jetë një nga më të rëndësishmet në këtë proces gjyqësor. Komandant Remi u mor në pyetje për një javë të plotë, dhe tregoi në detaje mënyrën e organizimit të UÇK-së, kontaktet me shtabin e përgjithshëm, qendrat e ndalimit, raportet me personat e akuzuar dhe secilin detaj tjetër. Remi në dëshminë e tij deklaroi që komandantët e zonave e kanë parë veten të pavarur nga shtabi i përgjithshëm. Madje, kishin qenë po këta komandantë që e kishin përzgjedhur Sylejman Selimin si komandant të përgjithshëm të UÇK-së. Remi deklaroi se kanë pasur pakënaqësi lidhur me marrëveshjen e Rambujesë, dhe se shtabi i përgjithshëm nuk do të mund të bënte marrëveshje pa aprovimin e komandantëve të zonave.

Dëshmia e Remit shkaktoi përplasje edhe ndërmjet avokatëve të krerëve të UÇK-së dhe Prokurorisë, por edhe gjyqtarëve. Kjo pasi avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i akuzoi gjyqtarët se po bëjnë pyetje tendencioze.

Në mesin e dëshmitarëve ka qenë edhe një ish-oficer i Intelegjencës në Britani që në kohën e luftës në Kosovë kishte punuar si zyrtar i OSBE-së. Mbrojtja e ka kritikuar pranimin e këtij dëshmitari si ekspert, pasi kanë vlerësuar se ky ka dhënë më shumë opinione se fakte rreth ngjarjeve.

Kur po bëhen afro 3 vjet që nga koha kur janë arrestuar, krerët e UÇK-së vazhdojnë të jenë në paraburgim. Me dëgjimin e dëshmitarit të 15, Gjykata Speciale ka shkuar në pushime të verës deri më 14 gusht./Nacionale

Të ngjashme