Lajme
14 shkurti i Kurtit | Tri vjet tensione e degradim dhe premtime që kurrë nuk u realizuan
Demokracia
21:50 | 14 Shkurt 2024

Share:

Sot janë bërë tri vjet prej 14 shkurtit, ditës kur Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet në Kosovë.

Gati tri vjet pas krijimit të Qeverisë, Albin Kurti dhe partia e tij nuk kanë realizuar pothuajse asgjë nga premtimet elektorale, shkruan Demokracia.com.

Gjendja ekonomike e kosovarëve është rënduar shumë, çmimet elementare të ushqimeve bazë janë shtrenjtuar, energjia elektrike është shtrenjtuar, diplomacia ka kolapsuar dhe Kosova vazhdon të jetë nën sanksione ndërkombëtare.

Kosovarët nën qeverisjen e Kurtit u varfëruan dhe jetojnë në kushte edhe më të rënda se në të kaluarën.

Albin Kurti kishte premtuar banim të përballueshëm për 4.000 familje, pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës, pagë minimale prej 250 eurosh, vetting në drejtësi, padi për gjenocid ndaj Serbisë, shërbim ushtarak të obligueshëm, ndërtim të 160 çerdheve, ndërtim të stadiumit dhe pishinës olimpike, intervenim ambicioz në politika fiskale, funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës e shumëçka tjetër.

Kryeministri Albin Kurti, pak pas ardhjes në pushtet, kishte thënë se dialogu me Serbinë nuk është fare prioritet i tij.

Ai deklaronte se dialogu mund të ishte prioriteti i tij i gjashtë apo i shtatë. Edhe në programin e tij qeverisës, raportin me Serbinë e kishte lënë në faqen e fundit, shkruan Demokracia.com.

Por, prej kur e nisi punën si kryeministër, Kurti po merret vetëm me Serbinë, duke harruar deklaratat dhe planin e tij.

Albin Kurti që thoshte se nuk merret me dialog, arriti marrëveshje me Serbinë, ku e pranoi edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo siç e quante vetë: Zajednicën.

Kurti në krye të Qeverisë nuk është më ai opozitari që protestonte dhunshëm kundër marrëveshjeve me Serbinë, por tani vrapon i pari drejt Brukselit.

Në planin e tij qeverisës, ai zotohej se Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe, por situata veçse u përkeqësua edhe më shumë.

Në plan thuhej se dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, si dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut ndërshtetëror, por këto çështje nuk u panë të adresohen, sepse ai u mor vetëm me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që Kurti e quate Zajednicë.

Edhe pse thoshte se marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv, ai në Ohër më 18 mars pranoi një marrëveshje që nuk e kishte njohjen.

“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe anëtarësimin në OKB”, thuhej në planin qeverisës të Kurtit.

Ndonëse premtonte bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, Kurti i përkeqësoi aq shumë marrëdhëniet, saqë u bë kryeministri i parë që Kosovën e çoi drejt sanksioneve të BE-së.

“Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të bisedohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuar në këtë drejtim. Me partnerët e saj amerikanë dhe evropianë, Republika e Kosovës do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur njohjen e ndërsjelltë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të mirëmbajë raporte normale të bazuara në parimin e shëndoshë të reciprocitetit dhe të jep një kontribut të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilizimin afatgjatë të rajonit”, thuhet në planin e tij qeverisës.

Ai, po ashtu, planifikonte bashkëpunim me opozitën, por Kurti shpesh nuk i raporton as Kuvendit për dialogun dhe nuk është transparent për temat e dialogut.

Kryeministri Albin Kurti, një prej premtimeve më të rëndësishme të tij e kishte edhe ndërtimin e banesave për çiftet e reja.

Ndonëse po bëhen gati tri vjet prej që Kurti është në pushtet, ai dhe Qeveria e tij nuk kanë bërë asgjë deri më tani për realizimin e këtij premtimi të madh, shkruan Demokracia.com.

Kurti si opozitar në një fjalim të tij në Kuvend thoshte se ndërtimi i banesave për çiftet do të mund ta ndalte edhe braktisjen e vendit nga të rinjtë. Por, ai nuk bëri asgjë edhe përkundër paralajmërimeve të qytetarëve për ikjen nga vendi, pas 1 janarit, datë kjo kur do të liberalizohen vizat për qytetarët.

“Mungesa e banesave për çiftet e reja. Të gjithë jemi dëshmitarë se të rinjtë e të rejat në të 20-tat e tyre fejohen e kalojnë vite të tëra e nuk martohen, se nuk kanë ku martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të jetojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit e ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi. Ndërkaq, ne infrastrukturë e mendojmë vetëm asfaltin e jo banesat për çiftet e reja. Banesat për çiftet e reja janë tejet të rëndësishme në mënyrë që të mos ikë rinia”, thoshte ai.

Qeveria aktuale, e cila është zgjedhur në mars të vitit 2021, ka premtuar ndërtimin e 4.000 njësive banesore.

Sipas programit të saj, familjet përfituese do të bëheshin pronare të banesave me këste mujore prej vetëm 120, respektivisht 150 eurosh në muaj, për një periudhë kohore prej 150 muajsh.

Përparësi thuhej se do të kishin çiftet e reja, të cilat kanë mundësi të limituara financiare për të blerë banesa me çmime të tregut.

Ndonëse kanë kaluar gati tri vjet prej se ky premtim është bërë formal, ndërtimi i këtyre banesave nuk ka filluar.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare kanë nënshkruar një marrëveshje për studim të fizibilitetit për banim dhe kosto të përballueshme. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është thënë se sillet në rreth 200 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë asokohe se projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti.

“Si Qeveri do ta bëjmë të pamundurën që projekti i planifikuar për ndërtimin e 4.000 njësive banesore, të realizohet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme