Lajme
14 kërkesat e policisë, Sindikata në pritje te përgjigjes nga Sveçla
Demokracia
21:38 | 09 Janar 2024

Share:

Sindikata e Policisë së Kosovës ende nuk ka pranuar përgjigje nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për 14 kërkesat që kanë parashtruar.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një prononcim për Gazeta10, tha se nuk kanë marrë ende një përgjigje për plotësimin e këtyre kërkesave.

Ai tha se janë në pritje të një përgjigje nga ministri Sveçla.

“Kërkesat nuk janë plotësuar ende dhe nuk kemi marrë ende një përgjigje, mirëpo ne do të kemi një takim këtë muaj me ministrin Xhelal Sveçla dhe pritet plotësimi i tyre”, ka thënë ai për Gazeta10.

Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, ministri Sveçla ka pasur një takim me Kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqirin, ku ky i fundit ia ka dorëzuar 14 kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive tjera lidhur me kushtet e tyre të punës.

Kujtojmë qe të shtunën e 9 dhjetorit të vitit që kaluar, njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë këtu njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë.

Ata kanë publikuar një listë me 14 kërkesa për plotësimin e tyre.

14 kërkesat e policisë janë:

1 Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi siç janë: Veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete dhe pajisje të tjera të domosdoshme nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë e përhershme dhe të mos varet nga një vend apo lokacion i caktuar si dhe kërkojmë që shtesat e rrezikshmërisë në punë të jenë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet një komision që të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave të rrezikshmërisë.

3. Përfshirja e disa njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare i njëjtë me ligjin për FSK-në.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit për buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së që janë lënduar gjatë detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond ose të caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e PK-së, dhe jo në mënyrë selektive.

9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. Shtesa për fundvit në vlerën e një page për të gjithë ata që kanë treguar përformancë të mirë gjatë fundvitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikmit shkollor.

12. Të rikthehen tre paga përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë.

14. Përkujdesja për mirëqenie për pjesëtarët e PK-së që kanë rënë ose lënduar gjatë detyrës zyrtare si p.sh; shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët ose anëtarëve të ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.

Të ngjashme