Lajme
1300 ushtarë të FSK-së do të marrin pjesë në “Defender Europe 2023”
Demokracia
19:30 | 19 Maj 2023

Share:

Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se mbi 1300 trupa të kësaj force do të marrin pjesë në ushtrimin “Defender Europa 23”.

Maqedonci në emisionin “Ditari” në Teve1 ka thënë se ky është ushtrimi më i madh i mbajtur ndonjëherë, sidomos sa i përket përfshirjes së Kosovës.

“Është ushtrim më i madh, sidomos sa i përket pjesës së Kosovës. Ne herën e parë kemi marrë pjesë me 330 trupa, kësaj radhe do të jemi me mbi 1300 trupa, duke mos e përfshirë pjesën administrative, shtabore, mbështetjen që e bënë Ministria dhe mbështetjen që bëjnë shtabet në kuadër të FSK-së”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu, ka thënë se në këtë ushtrim do të marrin pjesë ushtri të 25 vende, ndërsa në Kosovë do të zbarkojnë pesë të tilla.

“Në këtë ushtrim do të marrin pjesë 25 vende të NATO-s dhe partnerit të SHBA-së. Këtu duke e përfshirë edhe vendin tonë. Ushtrimi do të realizohet në tri zona kryesore, kurse në vendin tonë do të zbarkojnë 5 njësi nga vende të ndryshme të ushtrive. Do të kemi njësi nga SHBA, Shqipëria, Maqedonia Veriore, Kroacia dhe Turqia. Të gjitha këto do të integrohen me ushtrinë tonë dhe do të ekzekutojnë ushtrime në kuadër të ‘Defender Europe 23”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që do të mbahet nga data 21 maj deri më 2 qershor.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-së, NATO-s dhe vendeve aleate.

Të ngjashme