Kuriozitete
12 vjeçari në Egjipt fejohet me kushërirën e tij 10 vjeçare
Demokracia
14:08 | 09 Dhjetor 2022

Share:

Një familje egjiptiane po përballet me kritika pasi fejuan djalin e tyre 12-vjeçar me kushërirën e tij 10-vjeçare.

Zyrtarët egjiptianë të mbrojtjes së fëmijëve reaguan pasi fotografitë që tregonin çiftin e ri në një ceremoni të ngjashme me martesën u shpërndanë në internet nga familjet e tyre krenare, transmeton Telegrafi.

Fotot u bënë shpejt virale, duke treguar 12-vjeçarin Ziyad dhe 10-vjeçaren Sama në ceremoninë e fejesës së tyre në zonën Sharqia në pjesën veriore të vendit.

Vajza shihet duke buzëqeshur me një fustan të bardhë nusërie së bashku me djalin me një kostum blu në fotografitë që thuhet se janë bërë në Qendrën Walad Saqr, derisa prindërit e tyre qëndronin pas tyre.

Gjatë festimeve, raportohet se djali i dha vajzës unazën e fejesës mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve nga familjarët dhe miqtë e mbledhur.

I intervistuar nga mediat vendase, ai tha se e ka dashur gjithmonë vajzën e tezes dhe dëshiron të martohet me të.

Ai premtoi se do të punonte shumë për të përfunduar studimet në mënyrë që ata të kishin një martesë të lumtur pasi të mbushin moshën madhore.

Familja e mbrojti fejesën duke thënë se ideja i ka ardhur gjyshit të dhëndrit dhe se dy fëmijët janë kushërinj mes vete, pasi nënat e tyre janë motra.

“Unë i dua vajzat e mia dhe dua që ato të jenë gjithmonë të lidhura me njëra-tjetrën, edhe në prejardhje. Unë propozova idetë”, tha gjyshi i cili mbrojti këtë fejesë.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Përgjithshëm për Ndihmën e Fëmijëve, Muhamed Nazmi, tha se zyrtarët e mbrojtjes së fëmijëve të Sharkias kishin shkuar në shtëpinë e familjes për t’ua bërë të qartë prindërve rreziqet e martesës së hershme për fëmijët.

Ata thanë se kishin marrë edhe zotimet nga prindërit që fëmijët të kujdeseshin siç duhet dhe se çdo plan martese do të vihej në pritje.

I pyetur nga mediet lokale, prindi tha se pavarësisht ceremonisë, ata do të kenë mundësinë të zgjedhin nëse duan vërtet të martohen pasi të kenë arritur moshën e duhur.

“Ne nuk po i detyrojmë të bëjnë gjë, vetëm kemi dashur të gëzohemi dhe të shpallim parimin e lidhjes, siç është zakon në shumë familje”, thanë ata.

Të ngjashme