Lajme
11 ditë nga takimi Kurti-Vuçiq | Pse u përzgjodh Ohri si vend për të arritur marrëveshjen?
Demokracia
20:42 | 07 Mars 2023

Share:

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak të enjten vjen në Prishtinë dhe më pas shkon në Beograd për t’i përgatitur negociatorët për takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Diskutimet, pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të përqendrohen konkretisht në aneksin e marrëveshjes të bazuar në planin evropian, shkruan Demokracia.com.

Marrëveshja sipas planit evropian është pranuar në parim nga Kurti dhe Vuçiq, mirëpo problematik mbetet aneksi që ka të bëjë me modalitetet dhe afatet e implementimit në terren. Pika fragjile mbetet implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë e ndërkombëtarëve dhe Serbisë.

Për Asociacionin Lajçak i ka përmendur disa modele evropiane, por ka dhënë detaje se për cilat bëhet fjalë.

Pse në Ohër?

Vendimi për mbajtjen raundit të ri negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër është ndikuar edhe nga qëndrimi i presidentit serb se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend pritës i pranueshëm në rajon, raporti portali maqedonas “Nova TV”, duke cituar burime diplomatike.

Kryeministri kosovar dhe presidenti serb, së bashku me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas të gjitha takimeve të mëparshme në zyrat e Brukselit dhe në margjinat e konferencave të ndryshme ndërkombëtare, do të takohen për herë të parë në rajon dhe Ohri do të jetë nikoqir i takimit më 18 mars.

Vendndodhja u zgjodh pas vendimit të BE-së për të zhvilluar bisedime ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në këtë fazë kritike në Ballkan, dhe Ohri si qyteti pritës në mënyrë që BE-ja “të demonstrojë qëndrimin e saj ndaj Marrëveshjes së Ohrit (nga viti 2001) si model i suksesshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, i cili duhet të jetë edhe frymëzim për lidershipin serb dhe atë kosovar”.

Vendimi që Ohri të jetë vendi për një raund të ri negociatash ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç thuhet, “u mor edhe për shkak të qëndrimit të Presidentit të Serbisë se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend i pranueshëm në rajon si vend pritës. për bisedimet, të cilat po nxehen në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së problemit të Kosovës”.
Sipas burimeve diplomatike të “Nova TV”, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, konsideron se me këtë rast Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet njohja si partner strategjik i qëndrueshëm i BE-së, si dhe sukseset me marrëveshjet e Prespës dhe Ohrit, të cilat BE-ja i vlerëson si shembull në rajon për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Në Bruksel të hënën, më 27 shkurt, pas një raundi të ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Borrell tha se liderët e të dy palëve ranë dakord se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por se negociatat shtesë nevojiten për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

Kabineti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut konfirmoi të nesërmen se Kovaçevski është i gatshëm të presë takimin Kurti-Vuçiq në kuadër të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e BE-së dhe SHBA-së, më 18 mars.

Siç është paralajmëruar, në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Cila është simbolika e Ohrit? 

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, duke vendosur themelet e një kontrate të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popujt më të mëdhenj që popullojnë këtë vend, për ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë së Veriut si shtet.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja, të përfaqësuar nga lehtësuesit James Perdew dhe Francois Leotar

Ky dokument, në bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme