Lajme
10 viktima dhe mbi 1500 aksidente trafiku gjatë muajit janar
Demokracia
21:00 | 11 Shkurt 2021
Ilustrim

Share:

Në muajin e parë të vitit 2021 janë regjistruar 1 mijë e 536 aksidente trafiku dhe 10 persona kanë humbur jetën.

Pavarësisht se për shkak të pandemisë COVID-19, kufizimi i lirisë së lëvizjes ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës, aksidentet në trafik gjatë janarit të këtij viti kanë qenë në rritje prej 12.94 për qind.

Në bazë të të dhënave që Demorkacia.com ka marrë nga Policia e Kosovës, shihet se gjatë janarit të këtij viti kanë qenë gjithsej 1 mijë e 536 aksidente apo 104 aksidente më shumë sesa në janarin e vitit 2020.

Siç bëhet e ditur në statistikat e policisë, gjatë janarit të këtij viti kanë ndodhur nëntë aksidente me fatalitet, ndërkaq gjatë periudhës së njëjtë kohore të vitit të kaluar janë regjistruar 10 aksidente, por që numri i viktimave është i njëjtë, edhe në janarin e vitit 2020 por edhe të këtij viti, kanë qenë 10 persona që kanë humbur jetën në aksidente trafiku, raporton më tutje Demokracia.com.

Po ashtu rritje ka pasur edhe me aksidente me lëndime trupore. Sipas të dhënave këtë janar kanë qenë 100 aksidente më shumë, apo 22.68 për qind, pasi që kanë qenë 541 aksidente me lëndime në muajin e parë të këtij  viti, përderisa në janarin e vitit 2020 ishin regjistruar 441 aksidente me lëndime.

Gjithashtu edhe në janarin e këtij viti ka pasur më shumë persona të lënduar nga aksidentet e trafikut. Sipas të dhënëave të Policisë së Kosovës gjatë janarit të këtij viti kanë qenë gjithësej 1 mijë e 125 persona të lënduar apo 268 persona më shumë se sa janarin e vitit 2020.

Rritje ka pasur edhe në aksidentet me dëme materiale, ku janarin e këtij viti janë regjistruar 1 mijë e 13 aksidente, kurse janarin e vitit të kaluar kishin qenë vetëm 909 aksidente me dëme materiale.

Në bazë të këtyre të dhënave shihet se këtë vit ka pasur rritje prej 12.94 për qind të numrit të përgjithshëm të aksidenteve apo 176 aksidente më shumë kanë ndodhur muajin janar të vitit 2021 në krahasim me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar. Pra gjithsej 1 mijë e 536 aksidente kanë ndodhur në muajin e parë të këtij viti.

Përderisa numri i aksidenteve gjatë muajit janar të këtij viti ishte më i madh sesa vitin e kaluar, krejt ndryshe është situata me tiketat që Policia e Kosovës ka shqiptuar për shkelje të rregullave të ndryshme në trafik.

Në janarin e vitit të kaluar ishin shqiptuar 43 mijë e 979 gjoba, kurse në janarin e këtij viti janë shqiptuar 27 mijë e 115 gjoba. Pra janë 16 mijë e 864 gjoba më pak apo 38.35 për qind. /Demokracia.com/

Të ngjashme