Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri ka deklaruar se që nga fillimi i vitit 2024, 10 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje.
Zeqiri, këtë e deklaroi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione pasi u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi lidhur me shifrat që posedon sindikata për largimin e policëve që nga liberalizimi i vizave.
“Të gjithë ata që po japin dorëheqje vullnetare po e dëmtojnë shtetin. Për këtë vit s’kemi ndonjë shifër statistika të saktë kemi deri tani rreth 10 pjesëtarë që kanë jep dorëheqje. Vetëm sa për kureshtje për të parë se përse zyrtarët policorë po japin dorëheqje, unë e kam siguruar një dorëheqje për t’u njoftuar me arsyet”.
“Disa nga arsyet janë: Paga e dinjitetshme, mos sigurimi i rrezikimit shëndetësor, mungesa e pajisjeve të duhura edhe shumë arsye të tjera”, ka thënë Zeqiri i cili ka s’ka zbuluar identitetin e policit që ka dhënë dorëheqje më 30 janar.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Zeqiri u shpreh i shqetësuar edhe sa i përket pagave dhe kushteve të punës.
Sipas tij, “ka pasur zbritje të pagave deri në 600 euro”.
Ai ka sqaruar se në peticionin drejtuar pushtetit ata kishin paraqitur të gjitha pakënaqësitë e punonjësve.
” Peticioni është organizuar nga sindikata për të treguar se sa është e pakënaqur Policia e Kosovës në lidhje me Ligjin e Pagave dhe kushtet tjera. Pas peticionit kemi pasur takim me ministrin e Punëve të Brendshme dhe jemi dakorduar që në takimin e ardhshëm të bisedojmë e të vendosim prioritetet”.
Ai kërkoi po ashtu që të bëhet Ligji për pensionimin e zyrtarëve policorë në moshën 55 vjeçare si dhe këta zyrtarë të bëhen me sigurime shëndetësore.
Deri në muajin tetor të 2023, ishte raportuar për 60 pjesëtarë të policisë që kishin dhënë dorëheqje.
Nga Sindikata edhe në atë kohë ishin kërkuar që të merren masa të nevojshme për parandalimin e këtij fenomeni, pra duke ia plotësuar kërkesat që i kanë.