Lajme
​Vendosja e simbolit rus në veri, Hajrullahu: Janë orkestrime të Vuçiqit
Demokracia
18:35 | 12 Mars 2022

Share:

Vendosja e grafiteve pro ruse “Z”, që është simbol i forcave ruse në agresionin ushtarak në Ukrainë, në veri të Kosovës po konsiderohet të jetë provokim dhe solidarizim me krimet e shkaktuara nga Rusia në Ukrainë.

Profesori universitar, Arben Hajrullahu thotë për KosovaPress, se para së gjithash, kjo është demonstrim i mendësisë serbo-madhe.

“Kjo është edhe provokim edhe solidarizim me krimet e shkaktuara nga Rusia së fundmi në Ukrainë. Po, para së gjithash kjo është demonstrim i mendësisë serbo-madhe, e cila është e motivuar dhe përzgjatim i mendësisë së njëjtë ruse”, thotë ai.

Sipas Hajrullahut, këto manifestime pro-ruse janë orkestrime të Vuçiqit dhe atyre që ndajnë mendësinë nacionaliste e serbo-madhe.

“Nacionalizmi serb veç është i rritur, tanimë për dekada me radhë, më së voni që nga 1986 e këndej. Manifestimet pro ruse në disa komuna të Kosovës janë orkestrime të Vuçiqit dhe atyre që ndajnë mendësinë nacionaliste e serbo-madhe, ndër të tjera edhe si strategji për të shpërqëndruar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka Serbia. Përfytyrimi i kësaj mendësie është ‘Lista Srspka’ në Kosovë, nënkryetarit të së cilës tani veç i janë vendosur sanksione nga ShBA. Serbia është kampione në Evropë e përtej në rreshtimin krah Rusisë. Këtë e dëshmojnë faktet, si qendra ruse e sapunimit në Nish, mos vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, media, sentimenti dhe protestat pro-ruse gjithandej në vend, linja ajrore me intensitet të lartë, etj”, thekson ai.

Në Beograd janë mbajtur protesta në mbështetje të agresionit rus dhe janë shfaqur murale të Putinit, ndërsa kompania ajrore “Air Serbia” gjithashtu së fundi është kritikuar edhe për rritje të numrit te fluturimeve me Rusinë.

Hajrullahu tërheq vërejtjen se për çdo ledhatim të Serbisë nga Perëndimi, çmimin do ta paguajë rajoni por edhe ledhatuesit e autokratëve.

“Bota demokratike perëndimore shpesh e luan naivin kundruall Serbisë me qëllim dhe shpresë që Serbia një ditë të përndritet dhe të bashkohet me vlerat e demokracive perëndimore. E gjithë përvoja nga e kaluara e dëshmon të kundërtën. Kështu, për çdo ledhatim të autokratëve çmimin do ta paguajnë herët a vonë njerëzit në rajon së bashku me ledhatuesit e tyre”, thotë Hajrullahu.

KosovaPress ka raportuar sot se veriu i vendit është mbuluar nga simboli rus Z, që po përdoret gjatë agresionit ushtarak në Ukrainë.

FOTO| Veriu i Kosovës mbushet me simbole ruse

Të ngjashme