Lajme
​Qeveria edhe 10 ditë afat për TRUST-in, Shatri kërkon veprime urgjente nga ekzekutivi
Demokracia
16:54 | 11 Prill 2022

Share:

Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe 10 ditë afat për shqyrtimin e propozimit të PDK-së, në këtë rast kërkesën e kryesisë së Kuvendit të Kosovës për ndryshimet ligjore që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e një përqindje të kursimeve pensionale në TRUST.

Nëse ekzekutivi nuk i përgjigjet kuvendit, kjo iniciativë (projektligj) nga deputeti i partisë më të madhe opozitare, Bekim Haxhiu, hyn në procedurë parlamentare. Kryesia e Kuvendit më 21 mars ka proceduar kërkesën në Qeveri, dhe afati për shqyrtim është 1 muaj. Nga Qeveria dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë treguar se kur pritet t’i kthehet një përgjigje parlamentit lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri mendon se do të ishte veprim i gabueshëm dhe i dëmshëm edhe një tërheqje e kursimeve nga TRUST-i.

Derisa Shatri po thekson se Qeveria ka alternativa të tjera për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, ka kërkuar veprime urgjente nga ekzekutivi për të zbutur te qytetarët, siç thotë ai ndikimin e madh të ngritjes së çmimeve për produktet esenciale ushqimore.

Sipas tij, tërheqja e kursimeve nga TRUST-i ka efektet negative për qytetarët, derisa thekson se përfituesit kryesor do të jenë tregtarët duke ngritur çmimet në vazhdimësi.

“Aleanca e ka përkrah, mirëpo jo parezervë, jo pa asnjë vërejtje, për tërheqjen e 30 përqind të mjeteve të fondit, sepse nëse janë 2 miliardë e 200 milionë euro në TRUST, 30 përqind i bie mbi 600 milionë euro, që është një shumë e madhe. Kjo mundet me paraqit problem, sepse këto mjete janë të plasuara në institucionet financiare ndërkombëtare, të afatizuara. Pra duhet me pasur kujdes për stabilitet dhe siguri të mjeteve të Trustit, sepse ato janë para të qytetarëve në mirëbesim. Çështja tjetër është se në këtë rrethanë krize po kërkohet që kontribuuesit me i ‘hëngër’ (shpenzuar) parat e veta para kohe, në vend që ato të ruhen për kohën e pleqërisë… Në qoftë se ne i shpenzojmë ato, një herë 10 përqind, dhe 30 tash bëjnë 40 përqind. Dhe në rast se rimburësohen nga qeveria, kjo i bie që qeveria me rritë borxhin publik, i cili edhe ashtu është rritur mjaft në vitin 2021 dhe sa është paplanifikuar më 2022, borxhi publik me u rritë për 800 milionë euro, që po shkon në 26 përqind të GDP-së, që është rritjet enorme e borxhit publik pa efekte në zhvillimin ekonomik… Ndikimi, si të lëshohen ato para në qarkullim, qytetarët brenda javës, 10 dite i shpenzojnë për konsum ditor të familjeve për gjëra elementare, për jetesë. Ndërsa, tregtia(tregtarët) i shfrytëzojnë këto raste me i rritë çmimet dhe kështu ato harxhohen shumë shpejt dhe nuk kanë asnjë lloj efekti në zhvillim ekonomik… Në qoftë se i shpenzojnë qytetarët parat e veta, do të jetë shumë e dëmshme, sepse nesër njerëzit do të kenë kthim të mjeteve të Trustit shumë më të vogël”, thekson ai.

Ish-ministri Shatri po kërkon nga Qeveria veprime urgjente për krizën në vend të shkaktuar nga inflacioni i lartë prej 7.5 përqind.

“Koha për me vepruar qeveria është shumë urgjente. Kjo situatë i krijon një rrethanë të favorshme qeverisë nëse qëndron kështu pa vepruar, sepse të hyrat në buxhet rriten për shkak të rritjes së çmimeve, sepse në këtë mënyrë rriten të hyrat nga TVSH-ja nga burimet ligjore të buxhetit. Në anën tjetër ato të hyra nuk merren nga qielli, por prej qytetarëve… Prandaj, duhet me vepruar menjëherë në mënyrë që pasojat të zbuten të kësaj situate. Nuk po themi që është faji i kësaj qeverie që janë rritur çmimet dhe që janë krijuar rrethanat ndërkombëtare me rritjen e çmimeve për derivatet e naftës, të energjisë, por edhe të të gjitha produkteve tjera të importit dhe të prodhimeve vendore. Veprimi i parë që mendojmë që duhet të bëhet është që menjëherë me rishqyrtuar Ligjin e buxhetit 2022 dhe krahas saj me i paraparë parametrat e rijnë në pajtim me rrethanat e krijuara. Rriten të hyrat buxhetore, por duhet me vepruar edhe me ndryshimin e shpenzimeve që nënkupton edhe në trasferet sociale dhe me i përshtatur me këtë shifër të inflacionit”, thekson ai.

Krahas shtrenjtimit të madh të naftës, bukës, vajit dhe produkteve të tjera, Shatri ka kërkuar uljen e akcizës për naftë dhe heqjen e TVSh-së për artikujt e domosdoshëm për qytetarët.

“Pa ndërhyrë në Trust, ka plot hapësira të tjera dhe burimeve të tjera që munden me u shfrytëzuar dhe mos me u dëmtuar (kontributet) Trusti…Në anën tjetër mund të bëhen edhe politika të matura që lidhen me politikat fiskale. Tani kur është rritë çmimi i derivateve mund të bëhet një zbritje e përkohshme e akcizës për naftë dhe për artikuj të domosdoshëm për qytetarët, derisa të stabilizohet situata. Pra, ka shumë mundësi të mjaftueshme qeveria për me vepruar, në mënyrë që sa do pakë ta zbusë këtë trend të përkeqësimit të situatës dhe gjendjes sociale të qytetarëve”, thotë ai.

Si rrjedhojë e invazionit ushtarak rus në Ukrainë, ndikimet e saj kanë goditur tregjet ndërkombëtare dhe ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024