Intervista
​Posta Shqiptare si “one stop shop”, Bushati: Përpjekje t’i përgjigjemi trendeve teknologjike
Demokracia
18:30 | 13 Janar 2022

Share:

Administratori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati, deklaroi se dy vitet e fundit për shkak të pandemisë për këtë institucion nuk kanë qenë të lehta, por që thekson se me sukses kanë arritur të kryejë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve dhe t’i mbajë ata të bashkuar. Këtë vit, Bushati thotë se do të fokusohen në përmirësimin e shërbimeve që ofrojnë dhe në zhvillimin teknologjik, e sidomos në ofrimin e produkteve online.

Kreu i Postës Shqiptare, në një intervistë për KosovaPress, flet për sfidat me të cilat përballet ky institucion, planet për këtë vit dhe bashkëpunimin me Postën e Kosovës.

Tërmeti dhe pandemia rënduan më shumë situatën në Shqipëri duke prekur të gjitha institucionet. Në periudhën e mbylljes totale, Posta ndau pensione e pagesat e aftësisë së kufizuar si dhe ofroi shërbimet për pagesat e detyrimeve ndaj shteti duke i lehtësuar punën si qytetarëve ashtu institucioneve për të funksionuar normalisht.

“Shqipëria pati fatkeqësinë edhe prej tërmetit të kombinuar edhe me pandeminë të kalojmë dy vite shumë të vështira. Ndaj dhe institucioni i Postës patjetër ka pasur një detyrë të shtuar për të mbajtur bashkë shoqërinë, për ta mbajtur pranë, për t’i shërbyer dhe për ta bërë të ndihet e gjallë edhe gjatë periudhave të mbylljes së madhe gjatë pandemisë. Ka shërbyer edhe si institucion publik informimi, ka ndarë pensionet, ka ndarë pagesat e aftësisë së kufizuar, ka kryer një sërë pagesash të cilat nëpërmjet Postës së Shqipërisë bëjnë të funksionojnë institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar dhe gjithë qytetarët kanë mundur që të vazhdojnë jetën e tyre në marrëdhënie me këto institucione. Kjo është një kompani siç e thash ka një traditë shumë të mirë dhe të gjatë, patjetër që unë e mora me privilegj dhe me përgjegjësi të shtuar këtë detyrë, është bërë një punë shumë e mirë nga paraardhësit, është ndërtuar një institucion që funksionon shumë mirë”, thotë ai.

Pavarësisht sfidave që i solli pandemia, Bushati shprehet se e ka hapur mundësinë për zhvillimin e tregtisë online. Për këtë arsye ai thotë se Posta Shqiptare po punon që edhe nga ana e shërbimeve online t’i përgjigjet shoqërisë.

“Këto dy vite na treguan që edhe teknologjia dhe ekonomia ka ndryshuar, shumë gjëra sot janë vendosur online. Tregtia, transporti, kjo e-commerce, pra tregtia online ndihet e ardhmja dhe është këtu për të qëndruar, nuk e ndryshojmë më. Për këtë arsye ne po përpiqemi që edhe nga ana teknologjike e shërbimeve t’i përgjigjemi shoqërisë. Njerëzit sot e panë që funksionon shumë mirë nga shtëpia mund të porosisësh dhe të blesh dhe pse jo të vazhdojë ky trend dhe ne do e bëjmë të mundur këtë. Kemi një avantazh që jemi kudo, jemi të besueshëm, kemi kaq shumë vite në treg”, thotë ai.

Posta Shqiptare gjatë këtij viti mbush 110 vjet të funksionimit, megjithatë Bushati thotë se si institucion kanë edhe sfida të shumta me të cilat përballen, ku përmend shtimin e operatorëve postar të palicencuar dhe mungesën e një adresari të plotë.

Pavarësisht kësaj, ai thotë se për qytetarët e Shqipërisë, si institucioni më i vjetër postar ofrojnë mbi 100 shërbime në mbi 560 zyra në të gjithë territorin e vendit.

“Unë dua të mendoj që Posta si kudo sot në botë në rastin më të mirë është ‘një one stop shop’, pra një vend ku ti i kryen të gjitha, qytetarët, konsumatori e ka kohën të kufizuar, ka shumë dëshira dhe agjenda të ndryshme në jetë, kështu që duhet që në sa më pak kohë të kryhet sa më shumë shërbime të cilat i largon dhe vazhdon ditën. Kështu që, pranë Postës mund të paguajë energjinë elektrike, mund të paguajnë ujësjellësin, mund të paguajnë të gjitha tatimet apo detyrimet që kanë me shtetin, gjoba e të tjera. Pra, ka mbi 100 produkte të ndryshme financiare që funksionojë nëpërmjet Postës dhe këtë duam të bëjmë që poshtë shtëpisë të gjithë e kanë ndonjë zyrë postare të shkojnë dhe të kryejnë për një minutë të gjithë detyrimet që kanë me shtetin dhe të vazhdojnë ditën e tyre, jetën e tyre, pra t’i shkurtojmë kohë dhe t’i ofrojmë shërbime sa më cilësore qytetarëve”, thotë Bushati.

Posta Shqiptare gjatë vitit të kaluar ka ndarë shpërblimet dhe pensionet e ndara nga ana e Qeverisë së Shqipërisë. Administratori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati, deklaron se kanë arritur të përmbushin këtë detyrë me përgjegjësi të plotë.

“Ne kemi punuar jashtë orarit, edhe në ditët në pushim edhe me orare të zgjatura për t’i ndarë këto fonde. Kam përshtypjen që deri më sot që flasim është kryer në masën 95 përqind, mund të jenë disa qytetarë që mund të banojnë jashtë apo janë emigrantë ose mund të kenë qenë me pushime, por është një shifër e lartë deri në 700 mijë veta të cilët kanë marrë këtë shërbim falas në kohë rekord dhe shpresojmë me shumë cilësi nga ana e zyrave tona… Sfidat që na solli pandemia patjetër që shumë njerëz u mbyllën dhe na u desh që t’i shpërndanim edhe pensionet në familje. Ne kam përshtypjen jemi tek 280 mijë familje të cilët marrin këto shërbime në shtëpi. Funksionon shumë mirë në mënyrë kapilare edhe në fshatrat më të largëta të Shqipërisë, nga Tropoja deri në Sarandë dhe është një shërbim të cilin e vlerësojmë shumë sidomos familjarët të cilët janë në moshë ose e kanë të pamundur të lëvizin”, thotë.

Bushati për KosovaPress flet edhe për bashkëpunimin që e kanë me Postën e Kosovës, ku thekson se vizitën e parë pas marrjes së detyrës si administrator i Postës Shqiptare e ka bërë pikërisht në Postën e Kosovës.

Ai shprehet se kanë një bashkëpunim të shkëlqyer si dy institucione postare, por që thotë se viteve në vazhdim do ta intensifikojnë edhe më shumë përkrahjen për njëra-tjetrën.

“Ka shumë marrëdhënie nëpërmjet të cilës Posta e Kosovës i kryen me ndërmjetësim të Shqipërisë për shkak edhe të shteteve apo institucioneve që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm, i ndihmojmë në gjithçka pa kosto, falas patjetër, dhe do të përpiqemi t’i ndihmojmë në gjithçka edhe në të ardhmen, si në njohjen e Kosovës në të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me Postat në botë dhe të Unionit… Shpresoj që edhe Kosova patjetër me të gjithë sfidat që ka si shtet i ri shpeshherë edhe të ekonomisë, të energjisë që mund të jenë sfida të momentit patjetër të ketë mundësinë ta ofrojë sa më mirë shërbimin postar. Kështu që, ka shumë për të mësuar nga të dy vendet në mënyrë reciproke, pra është një simbiozë e shëndetshme”, thotë ai.

Në fund, kreu i Postës Shqiptare tregon planet që i ka për këtë vit, e që thotë se do të punojnë për të shtuar numrin e shërbimeve.

“Patjetër që ne duhet të ecim me sfidat, me teknologjinë dhe me kushtet që na imponon koha që jetojmë. Unë mendoj që çdo krizë dhe çdo sfidë në fakt është një mundësi për zhvillim, të gjitha çfarë kanë ndodhur deri më sot kanë bërë që ekonomia të rritet, pra gjithmonë ka vend për përmirësim dhe për të shtuar gamën e produkteve dhe të shërbime. Kështu që, mendojmë që nga mbi 100 produkte që kemi ne do të kemi mundësi të ofrojmë edhe produkte të tjera, të përmirësojmë këto që kemi dhe pse jo të jemi edhe shumë më shumë konkurrues në treg. Teknologjia si po zhvillohet na ka hapur sytë, na ka hapur mundësitë, na ka ridimensionuar, ka disa sektorë që e kanë më të vështirë por e shoh më shumë si mundësi për të ecur përpara dhe viti 2022 shpresoj që do të jetë viti i ndryshimit të madh për këtë kompani”, thotë ai.

Ervin Bushati është zgjedhur në krye të Postës Shqiptare në shtator të vitit 2021.

Të ngjashme