Lajme
​Molliqaj: Qytetarët ia kanë paguar 200 mln euro borxhe e humbje KESCO-s dhe KEDS-it
Demokracia
16:55 | 24 Janar 2022

Share:

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj deklaroi sot përmes një konference për media se qytetarëve të Kosovës iu ka kushtuar rreth 200 milionë euro kompensimi i humbjeve të KEDS-it dhe KESCO-s. Ai tha se KEDS-i nuk ia ka paguar KEK-ut rrymën e prodhuar që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa KESCO ka obligime edhe ndaj KOSTT-it.

Molliqaj akuzoi menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se e kanë mbajtur të fshehtë borxhin që i kanë të dy kompanitë private të dy kompanive publike. Sipas tij, nga mesi i shtatorit deri këtë muaj KEDS dhe KESCO i detyrohen KEK-ut rreth 61 milionë euro.

“Vetëm në 3 muajt e gjysmë të fundit të vitit të kaluar duke përfshirë nga mesi i shtatorit, 51 milionë euro nuk është paguar energji elektrike, të cilën KESCO dhe KEDS-i ia kanë shitur qytetarëve të Republikës së Kosovës, i ka marrë paratë nga ne, ndërsa për paratë që është dashur t’i paguajë KEK-ut nuk e ka bërë një gjë të tillë. Nëse llogaritet edhe janari i këtij viti që jemi në përfundim të muajit, ajo shifër do të mbërrijë në 61 milionë. Sipas shkresave të cilat ekzistojnë mes KEK-ut dhe KESCO-s flitet që edhe këtë muaj nuk do të paguhet kompania publike, pra nuk do të paguhet prodhimi”, thotë ai

Molliqaj përmendi edhe një borxh tjetër, që sipas tij, KESCO ia ka kompanisë tjetër publike, Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT.

Duke marrë parasysh këto borxhe si dhe duke ia shtuar edhe ndihmat dhe subvencionet e mëparshme, Molliqaj tha se KESCO dhe KEDS i kanë kushtuar Kosovës, në mënyrë direkte dhe indirekte, mbi 200 milionë euro.

“Si rezultat i kësaj shume mund të themi që përveç subvencionimit të mëparshëm që ka marrë në vlerën 44 milionë e gjysmë nga Qeveria e Kosovës dhe nga dividenda e KOSTT-it dhe KEK-ut dhe 75 milionë të tjera që janë zotuar nga Qeveria për KESCO dhe KEK-un, po ashtu dallimin në çmim që do ta paguajmë ne qytetarët, dhe borxhet që ia ka kompanive publike, sepse çdo para publike, çdo aset publik është pronë e secilit prej nesh, kalon shifrën mbi 200 milionë euro që i ka kushtuar Kosovës dhe paratë tona në mënyrë direke dhe indirekte të cilat kanë shkuar për t’i mbuluar humbjet e kompanive private që ka me obligim me kontratën që e ka nënshkruar në kohën e privatizimit për të na siguruar energji 24 orë në 7 ditë të javës”, thotë ai.

Partia Socialdemokrate të shtunën më 29 janar do të mbajë një protestë lidhur me paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

 

Të ngjashme