Lajme
​Mirëpritet rezoluta e PE-së, konsiderohet si ndryshim pozitiv ndaj Kosovës por kërkohen edhe veprime konkrete
Demokracia
17:05 | 06 Korrik 2022

Share:

Miratimi i rezolutës nga Parlamenti Evropian, ku theksohet se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfundojë me njohje reciproke po mirëpritet në Kosovë.

Njohës të integrimit evropian, por edhe deputetë të partive opozitare e vlerësojnë si pozitive miratimin e rezolutës, por kërkojnë edhe veprime konkrete, sidomos në liberalizimin e vizave për Kosovën.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se për herë të parë në formë të shkruar nga një institucion i BE-së, po kërkohet që njohja reciproke të jetë kyçe për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

“Më në fund një dokument zyrtar i Bashkimit Evropian, këtë rast i Parlamentit Evropian, njëri nga institucionet më kredibile të BE-së ka kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohjen reciproke. Pra për herë të parë thuhet në një dokument zyrtar, e dyta, po ashtu ka kërkuar që sa më shpejt të ndodh liberalizimi i vizave. Mos të harrojmë se Parlamenti Evropian është njëri nga institucionet që e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht bën thirrje për pesë vendet e BE-së që se kanë njohur Kosovën, ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur”, thotë ai.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, thotë për KosovaPress, se kërkesa e Parlamentit Evropian për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e mirëseardhur.

Por, konfrom miratimit të kësaj rezolute, deputetja opozitare, shton se duhen veprime konkrete nga BE-ja.

“Natyrisht se është i mirëpritur sepse rikonfirmohet nevoja e Kosovës që të ketë liberalizim të vizave, po ashtu flet për vullnetin e Parlamentit Evropian që ky proces tashmë të marrë një epilog. Ju e dini se ka disa vite që Kosova është në pritje të një vendimi për lëvizjen e lirë, prandaj unë mirëpres këtë rikonfirmim të Parlamentit Evropian sa i përket procesit të liberalizimit. Po ashtu edhe çështjen e marrëveshjes finale (me Serbinë) me njohje të ndërsjellët. Por, pres që konform këtij votimi ne të kemi edhe konkretizim të qëndrimit sa i përket lëvizjes së lirë”, thekson Deliu-Kodra.

Arifi miratimin e rezolutës e konsideron edhe si ndryshim pozitiv të qasjes së BE-së ndaj Kosovës.

“Kjo na jep një përgjigje se momentumi politik apo narracioni i tregimit të Kosovës në BE po ndryshon në formën pozitive. Po kërkohet që dialogu të përfundojë, por me njohje reciproke. Kjo po dëshmon se brenda BE-së, vendet në BE kanë filluar të vetëdijesohen për këtë problem”, shton ai.

Parlamenti Evropian sot miratoi raportet për Kosovën dhe Serbinë, mes tjerash aty theksohet edhe perspektiva e tyre evropiane.

Të ngjashme