Lajme
​Mehaj mirëpret vendimin për themelimin e Fondit të Sigurisë
Demokracia
19:21 | 01 Mars 2022

Share:

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Fondit të Sigurisë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se fondi do të jetë i hapur dhe se nesër do të publikohen informacionet mbi dhënien e donacioneve.

“Jam shumë i lumtur që më në fund kjo punë intensive u finalizua dhe sot me nënshkrimin e vendimit nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ky fond do të jetë i hapur. Nesër do të bëjmë publike të gjitha informacionet, lidhur me llogarinë dhe detajet tjera, se si mund të jepni donacionet tuaja”, ka shkruar Mehaj.

Postimi i plotë i Mehajt:

Për Atdheun tonë, Lirinë dhe Pavarësinë e saj, dhamë shumë gjak, djersë, mund e para nga puna jonë e ndershme, në të gjitha periudhat e historisë sonë të dhimbshme e të lavdishme.

Një vullnet shumë të madh për të dhuruar donacione në mjete financiare për institucionet e sigurisë së vendit, e keni shprehur gjithmonë.

Ka një kohë të gjatë që jemi duke punuar në themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin qytetarët tanë mund të kontribuojnë me mjete financiare dedikuar sigurisë në vend.

Jam shumë i lumtur që më në fund kjo punë intensive u finalizua dhe sot me nënshkrimin e vendimit nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ky fond do të jetë i hapur.

Vlerën e shenjtë të Lirisë dhe Pavarësisë së Atdheut tonë që e paguam shumë shtrenjtë, jemi të vendosur ta ruajmë me çdo çmim.

Siguria jonë kurrë nuk ka nënkuptuar pasiguri për të tjerët. Përkundrazi, dje, sot dhe nesër, ishim, jemi e do të jemi siguri e mbrojtje për të gjithë, pa dallim.

Të kontribuojmë së bashku, për të mirën e institucioneve tona të mbrojtjes dhe sigurisë.

Për garantuesit e Lirisë, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të vendit.

Për garantuesit e jetëve dhe pronave tona, garantuesit e sigurisë dhe rendit tonë publik.

Nesër do të bëjmë publike të gjitha informacionet, lidhur me llogarinë dhe detajet tjera, se si mund të jepni donacionet tuaja.

Të ngjashme