Lajme
​Lirohen dy rrugë në Ferizaj, u bllokuan pas rrëzimit të lisave dhe një shtylle elektrike
Demokracia
21:30 | 27 Korrik 2022

Share:

Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe dëmeve nga erërat e forta, në Ferizaj mbrëmjen e së mërkurës ishin bllokuar dy rrugë, por që ato tashmë janë liruar për qarkullim.

Ndërsa policia konfirmoi se deri më tani nuk ka asnjë të lënduar.

Rreth orës 19:00 në rrugën rajonale Ferizaj-Shtime, saktësisht në hyrje të fshatit Lloshkobarë, ishte rrëzuar një shtylle elektrike dhe një kulm nga llamarina e një objekti, ku është bllokuar rruga si dhe në rrugën “Epopeja e Jezercit”, afër pishinës “Ujëvara”, ishin rrëzuar dy lisa dhe gjithashtu ishte bllokuar rruga.

Drejtuesit e automjeteve fillimisht ishin udhëzuar që të ndiqnin rrugët dytësore për të shmangur pritjet ndërsa ekipet e Drejtorisë së Emergjencave, të KEDS-it dhe zjarrfikësit ishin në vendngjarje.

Mirëpo, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj konfirmoi se që të dy rrugët tashmë janë liruar për qarkullim, pavarësisht se lëvizjet e mjeteve po bëhen në mënyrë të ngadaltë.

“Në ora 19:45 janë liruar të dy këto rrugë dhe komunikacioni është duke u zhvilluar ngadalë, për shkak të kolonës se automjeteve. Nuk raportohet për të lënduar”, njoftoi policia.

LEXO EDHE: 

Pemë të rrëzuara dhe probleme me trafik, pamje nga dëmet që ka shkaktuar stuhia në Ferizaj

Të ngjashme