Lajme
​Legjislatura e tetë e Kuvendit pritet të konstituohet në fillim të marsit sipas njohësve politik
Demokracia
12:31 | 23 Janar 2021

Share:

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare, “Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë për KosovaPress se këtë here zgjedhjet mund të certifikohen më shpejtë dhe në javën e parë të muajit mars mund të ketë tendenca për zgjedhjen e trupave të Kuvendit.

“Nëse bazohemi në praktikën e zgjedhjeve të kaluara maksimalisht që mund të zgjasë një proces i certifikimit është deri një muaj. Kësaj here besoj që ka me pas konsitutim më të hershëm të Kuvendit, për shkak se pak a shumë po vërehet që ka një përkrahje për Vetëvendosjen dhe kështu me gjasë do të jetë partia e parë në këto zgjedhje. Pastaj mbetet të shihet se sa kanë me zgjatë negociatat e LVV-së me ndonjë prej partive opozitare për të krijuar qeverinë. Me gjasë pritet të jetë AAK-ja duke pas parasysh se LVV-ja nuk pranon njëfarë mënyre të kthehet negociatat me LDK-në derisa ajo e rrëzoi qeverinë. Java e parë mund të jetë ndoshta si tendencë e konstituimit të Kuvendit, pastaj mund të zgjasë ndoshta edhe një kohë çështja e negociatave për qeverinë, me gjasë shpejt do të ketë lëvizje duke marrë parasysh se partitë e dinë se 5 maji është dita e fundit që zonja Osmani është ushtruese e presidentit”, thotë ai.

Se zgjedhjet do të certifikohen në afat të shpejtë beson edhe ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri.

“Konsideroj që fillimi i marsit do të gjejë Kosovën me një rezultat të certifikuar, çka do t’i hapte mundësinë edhe krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ju e dini, se presidenti në konsultim me partinë fituese të zgjedhjeve nominojnë kandidatin për kryeministër pasi të jetë i konstituar Kuvendi. Konsituimi i Kuvendit dhe nominimi i ndonjëri nga anëtarit të koalicionit ose partisë fituese do të nënkuptonte edhe fillimin e fazës së dytë të konstituimit të institucioneve, respektivisht qeverisë. Pra konsideroj se fillimi i marsit do të jetë koha kur institucionet e Kosovës do të duheshin të kompletoheshin, ose fillonin të komplementoheshin”, u shpreh Imeri.

Nëse KQZ-ja nxjerr rezultatet përfundimtare me kohë dhe nuk ka probleme të rinumërimit, zgjedhjet mund të certifikohen me kohë dhe rrjedhimisht Kuvendit të konstituohet ka thënë edhe Florent Spahija.

“Nëse KQZ-ja punon shpejt në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare dhe nuk ke kemi problemin e vitit të kaluar ku 2 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve është dashur ende të merremi me çështje të rinumërimin e votave, konsiderojë së mund të bëhet çdo gjë”, thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme në vend pritet të mbahen më 14 shkurt.

Të ngjashme