Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak deklaroi sonte në Beograd, se Bashkimi Europian pret nga Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë “gjithçka që është arritur në procesin e dialogut në 10 vjetët e fundit” si pjesë e dialogut.
Ai në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Bashkimi Europian pret vazhdimin e dialogut në mënyrë konstruktive.
“Dialogu është kyç për të dy palët, në mënyrë që të përparojnë në rrugën evropiane. Status quo nuk është e mirë për asnjë palë”, tha ai.
Lajçak tha se dialogu është thelbësor për përparimin në rrugën drejt BE-së.
“Shtetet anëtare presin që dialogu të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Ne nuk kemi asnjë interes në ruajtjen e status quo-së”, tha ai.
Ai vuri në dukje se BE pret që të dy palët të zbatojnë gjithçka që është arritur në procesin e dialogut në 10 vjetët e fundit.
Lajçak tha se BE-ja ka një histori të mirë të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se ai kishte një bisedë të mirë dhe kuptimplote me Lajçakun.
“Lajçak më njohu me gjërat më të rëndësishme në Prishtinë. Serbia është e përkushtuar për dialog me Prishtinën dhe është e gatshme të vazhdojë dialogun në çdo kohë kur të ftohet në Bruksel. Serbia mbështet aktivitetet dhe synimet e Lajçak për të arritur një politikë kompromisi që do të thoshte pakënaqësi për të dy palët, por pa një ultimatum dhe imponimin e një zgjidhjeje, Serbia merr pjesë në një masë të madhe në negociata dhe bisedime, por në dëshirën për të pasur mirëkuptim edhe për interesat e saj “, tha ai, transmeton KP.
“Në përputhje me atë, një marrëveshje kompromisi do të thotë gjithçka për këdo, dhe mjaft për të gjithë,” shtoi Vuçiq.
Siç tha ai, Serbia nuk përcakton ndonjë afat kohor për dialogun.
“Përfundimi ynë është që Serbia do të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të mëparshme. Kjo gjithashtu nënkupton formimin e asociacionit të komunave serbe dhe gjithçka që nuk u përmbush, dhe ishte e detyrueshme”, tha Vuçiq.
Takimi midis Vuçiq dhe Lajçak filloi rreth orës 18:00 në Beograd. Lajçak arriti në Beograd këtë pasdite, pas vizitës treditore në Kosovë.