Në kuadër të vizitës në Kosovë, një delegacion i deputetëve nga Lituania janë takuar sot pasdite me nënkryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.
Pas takimit u tha se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve do të avancohen përmes angazhimit të përbashkët duke thelluar komunikimin e duke zgjeruar fushat bashkëveprimit.
Kryesuesja e grupit parlamentar lituanez Laima Andrikiene theksoi se Lituania mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar, në Këshillin Evropës, BE dhe NATO.
Andrikiene tha se qëndrojnë fuqishëm pro liberalizimit të vizave për Kosovën, e cila cilësoi se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret për liberalizim.
“Edhe një herë konfirmoj qëndrimin tonë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme. Ne qëndrojmë fuqishëm pro liberalizimit të vizave për Kosovën, një premtim i dhënë nga BE-ja, i cili tani është i vonuar, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret. Pra, ne jemi pranë jush, dhe jemi të gatshëm t’i ndajmë përvojat me ju dhe t’ju ndihmojmë në rrugëtimin e juaj drejt integrimit në BE”, theksoi ajo.
Ajo nga këtu ka dënuar edhe agresionin rus mbi Ukrainën dhe foli për sanksionet e Lituanisë ndaj Rusisë.
Ndërsa, nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti tha se në takim u dhanë mesazhe miqësie dhe ka inkurajuar kolegët lituanezë për mbështetjen e Kosovës në vazhdimësi. Po ashtu deputeti Haliti ka kërkuar nga ta që ta mbështesin kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare në Këshillin e Evropës.
“Ngrita çështjet për të cilat ishim dakord të dyja palët që liberalizimi i vizave, çështja e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, edhe në BE, OKB dhe NATO, janë prioritet yni dhe kërkova që Lituania dhe deputetët që janë këtu ta mbështesin kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare në Këshillin e Evropës, me qëllim që e ardhmja e jonë e përbashkët në kontinent të jetë e të gjithëve njësoj dhe të mos kemi popuj evropianë që s’janë në Evropë brenda institucioneve evropiane”, theksoi ai.
Grupi për Miqësi Lituani- Ballkan Perëndimor të Parlamentit të Republikës së Lituanisë gjatë ditës është takuar edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe Grupin e Miqësisë Kosovë-Lituani të Kuvendit të Kosovës.