Lajme
​Koronavirusi i ri i gjetur te lakuriqët e natës është rezistues ndaj vaksinave
Demokracia
18:16 | 27 Shtator 2022

Share:

Lajmi që ekspertët e shëndetit publik presin, por frikësohen, ka mbërritur.

Te lakuriqët e natës u zbulua një koronavirus i ri, i cili mund të shkaktojë probleme të reja. Ai mund të infektojë qelizat njerëzore dhe tashmë është në gjendje të anashkalojë mbrojtjen imune nga vaksinat kundër COVID.

Sipas një raporti në revistën PLoS Pathogens, shkencëtarët e udhëhequr nga Michael Letko, një asistent profesor në Shkollën Paul G. Allen për Shëndetin Global në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit, kanë gjetur një grup koronavirusi të ngjashëm me SARS-CoV-2, të cilat fillimisht u zbuluan në vitin 2020 te lakuriqët e natës në Rusi.

Në atë kohë, ata nuk mendonin se virusi, i cili u quajt Khosta-2, përbënte një kërcënim për njerëzit.

Megjithatë, kur ekipi i Letkos bëri një analizë më të kujdesshme, ata zbuluan se virusi mund të infektojë qelizat njerëzore në laborator, shenja e parë paralajmëruese se mund të bëhet një kërcënim i mundshëm për shëndetin.

Një virus i lidhur gjithashtu i gjetur në lakuriqët rusë, Khosta-1, nuk mund të hynte lehtësisht në qelizat njerëzore, por Khosta-2 mund.

Khosta-2 lidhet me të njëjtën proteinë, ACE2, që SARS-CoV-2 përdor për të hyrë në qelizat njerëzore.

“Receptorët në qelizat njerëzore janë mënyra se si viruset hyjnë në qeliza”, thotë Letko.

“Nëse virusi nuk mund të hyjë nga dera, atëherë nuk mund të hyjë as në qelizë dhe është e vështirë të vendoset ndonjë lloj infeksioni”, shtoi ai.

Megjithatë, Khosta-2 nuk duket se e ka këtë problem, pasi duket se infekton lehtësisht qelizat e njeriut.

Akoma më shqetësues është fakti se kur Letko kombinoi serumin e personave që ishin vaksinuar kundër COVID me Khosta-2, antitrupat në serum nuk e neutralizuan virusin. E njëjta gjë ndodhi kur kombinuan virusin Khosta-2 me serumin e njerëzve që ishin shëruar nga infeksioni me variantin omicron.

“Nuk duam të trembim askënd dhe të themi se ky është një virus plotësisht rezistues ndaj vaksinës”, thotë Letko.

“Por fakti shqetësues është se ka viruse që qarkullojnë në natyrë që kanë këto veti – ata mund të lidhen me receptorët njerëzorë dhe nuk neutralizohen nga përgjigjet aktuale ndaj vaksinës”, shtoi ai, raporton Time.

Lajmi i mirë është se studimet e Letkos tregojnë se, ashtu si varianti omikron i SARS-CoV-2, Khosta-2 nuk duket të ketë gjene që do të sugjeronin se mund të shkaktojë sëmundje serioze te njerëzit. Por kjo mund të ndryshojë nëse Khosta-2 fillon të qarkullojë më gjerësisht dhe të përzihet me gjenet nga SARS-CoV-2.

“Një nga gjërat që na shqetëson është se kur koronaviruset e lidhur hyjnë në të njëjtën kafshë dhe në të njëjtat qeliza, ata mund të rikombinohen dhe një virus i ri mund të lindë prej tyre”, thotë Letko.

Gjetjet vijnë pasi një grup pune i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) raporton se një përgjigje e qëndrueshme ndaj pandemisë Covid-19 në formën e testimit, vaksinimit dhe trajtimit po vonohet.

Me imunitetin më të ulët global ndaj virusit aktual SARS-CoV-2, lufta kundër të gjithë patogjenëve të rinj, përfshirë koronaviruset e rinj si Khosta-2, bëhet më e vështirë.

Sipas të dhënave të fundit të mbledhura nga OBSH, një e katërta e njerëzve në mbarë botën nuk e kanë marrë ende dozën e parë të vaksinës kundër COVID.

Të ngjashme