Lajme
​Fillon vaksinimi i personelit të shërbimit mjekësor të FSK-së
Demokracia
12:58 | 06 Prill 2021

Share:

Departamenti i Mjekësisë së Ministrisë së Mbrojtjes në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, sot ka filluar vaksinimin kundër COVID-19 të stafit të shërbimit mjekësor të FSK-së, përfshirë mjekët, infermierët si dhe stafin administrativ dhe mbështetës të saj.

Në Qendrën e improvizuar të vaksinimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, për të përcjellë nga afër realizimin e vaksinimit, sot ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj me stafin përgjegjës të qendrës përkatëse, të cilët e informuan Mehajn me sistemin dhe procedurat e realizimit të vaksinimit në këtë qendër.

Sipas komunikatës, ministri Mehaj shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për nivelin e lartë të organizimit të fushatës si dhe shprehu kënaqësinë për fillimin e vaksinimit me prioritet të personelit të shërbimit mjekësor të FSK-së duke pasur parasysh specifikat e angazhimit të tyre në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive profesionale brenda FSK-së si dhe përballjen direkte me sfidat e pandemisë gjatë aktiviteteve dhe operacioneve në mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në çdo kohë dhe situatë.

Procesi i vaksinimit të personelit mjekësor të FSK-së do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme krahas vaksinimit të personelit mjekësor të sistemit shëndetësor të vendit.

Të ngjashme